Gjergj Vyshka 17.01.2015 19:40
Për të dytin vit me radhë, Drejtoria e Trajtimit Studentor Nr. 2 në kryeqytet organizoi një aktivitet në Malin e Dajtit me studentë konviktorë, djem e vajza, të cilët mbështetën këtë iniciativë në masë duke u ngjitur më pas deri në majën e malit. Nën drejtimin e një kampioni shqiptar në sportin e mundjes, si Viron Bezhani, president i KOKSH-it dhe njëkohësisht drejtues i këtij institucioni studentor, rreth 90 studentë e staf kanë nisur një marshim e piknik në Dajt duke e kthyer këtë aktivitet në traditë. Nismës së drejtuesve të Trajtimit Studentor nr. 2 iu bashkëngjitën shumë studentë konviktorë me dëshirën për të provuar emocionet e një aktiviteti sportiv dhe aventurën e marshimit në dëborë.
Aktiviteti zgjati përgjatë gjithë ditës së enjte duke nisur me një udhëtim argëtues e turistik me teleferikun e “Dajti Ekspres” e më pas me një marshim deri në majën e Malit të Dajtit. Edhe pse dëbora shoqëroi në një pjesë të mirë të rrugës studentët, ajo nuk i pengoi ata të realizonin misionin e tyre dhe të ngrinin flamurin në majën e Dajtit, aty ku ndodhen antenat. Dëbora e bëri edhe më interesante rrugën, pasi studentët patën mundësi ta shijonin atë. Pas gati 2 orësh marshim, studentët ia dolën mbanë të ngjiten në majë duke ngritur flamurin e Trajtimit Studentor nr. 2 në majën e Malit të Dajtit. Fotografi e lojëra me dëborë gjatë qëndrimit në majë, atje ku studentët patën edhe mundësi të çlodhen.
Më pas nisi rikthimi në shesh-pushimin ku qëndruan një pjesë e vogël e stafit e studentësh, që e kaluan kohën duke luajtur volejboll, futboll, apo me aktivitete të tjera. “Ne duam t’u krijojmë kushte sa më të mira studentëve, si gjatë qëndrimit në godina, ashtu dhe duke i përfshirë në aktivitete të ndryshme për të gjallëruar jetën e tyre gjatë qëndrimit në konvikte. Dhe kur shoh një pjesëmarrje të tillë më vjen mirë, pasi shoh se studentët kanë dëshirë të përfshihen në aktivitete dhe duan të jenë pjesë aktive e punës tonë”, – u shpreh Administratori i Trajtimit Studentor nr. 2, Viron Bezhani. Në fund një foto e përbashkët dhe rikthimi në qytet me teleferik, mes mbresash të paharrueshme për këtë aktivitet, duke bërë që të mos ndihet lodhja e ngjitjes deri në majë.