AlbanianSport.com 27/02/2019 12:55
ASNN – Listën e golashënuesve më të mirë në Evropë e udhëheq Lionel Mesi i Barcelonës, me 25 gola në kampionatin spanjoll, i cili ndiqet nga Kilian Mbapeja i Paris SG-së, që ka shënuar 22 gola. Sulmuesit e tjerë në 10 më të mirët e kontinentit rreshtohen pas tyre dhe janë disi më të shkëputur. I treti në radhë vjen Kristiano Ronaldo me 19 gola, ndërsa fill pas tij renditet sulmuesi i Milanit (ish-lojtar i Xhenoas), Kristof Piatek, me 18 gola, 6 prej të cilëve i ka shënuar pikërisht me kuqezinjtë e Milanos dhe është një nga sulmuesit më frytdhënës në këtë moment në Evropë.
Menjëherë pas kësaj 4-sheje që udhëheq kreun e 10 shënuesve më të mirë në kontinentin “plak”, renditen disa futbollistë që kanë realizuar 17 gola. Kështu, një shifër të tillë golash ka realizuar Kualjarela i Fiorentinës, Edinson Kavani i Paris SG-së, Mohamed Salahu i Liverpulit dhe Serxhio Aguerro i Mançester Sitit. Fill pas tyre renditen Luiz Suarezi i Barcelonës dhe Duvan Zapata i Atalantës, me 16 gola secili. Në nivel klubi, sulmin më të mirë e ka Barcelona, ku në 10-shen më të mirë ofensive ka dy lojtarë (Mesin dhe Suarezin) që së bashku kanë shënuar në kampionat 41 gola.
Ose thënë ndryshe, më tepër se i gjithë Reali i Madridit. Kurse në vend të dytë vjen Paris SG-ja me Mbapenë dhe Kavanin që kanë shënuar së bashku 39 gola. Sa u takon kampionateve, dominimin e mban Serie A, e cila ka 4 sulmues në 10-shen më të mirë dhe efikase në kontinent, me pjesëmarrjen e Kristiano Ronaldos, Piatekut, Kualjarelës dhe Zapatës. Të katër së bashku kanë shënuar 70 gola. Në vend të dytë është Spanja me dy golashënues që siç thamë janë Mesi dhe Suarez që së bashku kanë shënuar 41 gola.
Në vend të 3-të renditet Liga e parë franceze përfaqësuar me dy lojtarë të të njëjtit ekip si Mbapenë dhe Kavanin, me 39 gola, pastaj vjen Premier Liga Angleze me dy futbollistë, Aguerro dhe Salah, një i Mançester Sitit e tjetri i Liverpulit, që të dy me nga 17 gola të realizuar, pra së bashku deri tani kanë shënuar 34 gola. Duket qartë se sulmuesit e Serisë A në këtë moment bëjnë “ligjin” në Evropë, me afërsisht dyfishin e golave që shënojnë më të mirët në kampionatet e tjera. Kjo është një shenjë e mirë që po ringjall spektaklin në një prej kampionateve më të fortë të botës.