AlbanianSport.com 06/03/2021 23:10
ASNN – Si punojnë skuadrat e Kategorisë Superiore me lojën në krah? Shpesh, përfundimi i ndeshjes për një skuadër mbyllet me një kros në krahët e kundërshtarit. Në analizën e lojës së një skuadre, numrat dhe karakteristikat e krosimeve janë elementë që duhet të merren në konsideratë. Duke marrë të dhënat e sistemit “WyScout” dhe duke parë se çfarë na thonë të dhënat e Kategorisë Superiore, shohim qartë karakteristikat e skuadrave në zhvillimin e lojës së tyre.
Vllaznia është skuadra që kroson disa herë në një ndeshje, por Bylis dhe Partizani janë skuadrat që kanë më shumë efektivitet në krosime, me sukses më të lartë, sesa një krosim i marrë nga një shok skuadre çdo tre tentativa. Siç është evidentuar edhe herë të tjera, të dhënat në këtë renditje mbi dinamikën e lojës, shpesh nuk pasqyrojnë klasifikimin. Kjo e krosimeve është një klasifikim që përshkruan se si skuadrat preferojnë të tentojnë të përfundojnë aksionin.
Nëse nga ana tjetër, duam që të hyjmë në specifikat e analizës, lëmë grafikun e parë dhe shikojmë grafikun më sipër. A kalojnë skuadrat e Kategorisë Superiore njëlloj nga e djathta në të majtë? Teuta dhe Partizani po, të tjerat jo. Kjo do të thotë që Teuta dhe Partizani kanë lojtarë që janë të barabartë në të dyja anët e fushës, ose se loja anësore është e shpërndarë në të dyja anët e fushës.
Për skuadrat e tjera kjo nuk vlen, specifikisht për Bylis, Vllazninë dhe Kastriotin. Nëse Bylis ka përparësi në krosimet nga e majta, Vllaznia dhe Kastrioti kanë përparësi në krosimet nga e djathta. Kjo renditje është shumë e rëndësishme për të kuptuar se si luajnë skuadrat dhe se si duhen studiuar ato. Për të ditur këtë dhe detaje të tjera të lidhura me analizën e skuadrave, FSHF do të organizojë kursin e tretë të video-analistit në mesin e muajit prill.