AlbanianSport.com 06/02/2019 12:05
ASNN – Në 20 javë garë të luajtura deri më tani ia vlen të analizohen me kujdes disa tregues që i bëjnë ekipet të kenë pritshmëritë e tyre sezonale. Natyrisht, rëndësi merr pozicioni në klasifikim, sepse lidhet me objektivat, kurse treguesit në vetvete tregojnë se ku një skuadër ka arritje e ku ka mangësi. Një prej emrave më të mëdhenj të futbollit shqiptar, Tirana, nëse do të varej vetëm nga sulmi do të ishte tani në dy vendet e para të renditjes.
Kjo pasi Tirana ka realizuar 24 gola në 20 javë garë, dy gola më pak se Teuta që ka efikasitetin më të mirë në vijën e parë sulmuese. Madje Tirana shënon më shumë sesa Partizani kryesues dhe Kukësi i vendit të dytë, që kanë shënuar respektivisht 21 dhe 20 gola. Nga të gjitha ekipet e kreut, (6 skuadra), vetëm Teuta shënon më shumë se Tirana, të tjerët janë në pozitat aktuale sepse kanë mbrojtje efikase. Pikërisht, mbrojtja e Tiranës është ajo që po ia dëmton sezonin.
Nuk ka ndeshje që bardheblutë të mos pësojnë gol. Edhe pse shënojnë pranueshëm për kushtet e kampionatit shqiptar, bardheblutë janë skuadra e katërt që pëson më shumë gola në këtë edicion. Luftëtatari dhe Kamza kanë pësuar përkatësisht 3 dhe 2 gola më shumë, ndërsa Kastrioti e ka këtë tregues, pra pësimin e golave, një katastrofë më vete (37). Pra Tirana shënon 24 gola, por ka mbrojtje mjaft të dobët dhe ka pësuar deri tani 23 gola.
Diferenca midis golave të shënuar dhe atyre të pësuar është pozitive, por i gënjeshtërt, sepse është vetëm +1, që do të thotë ndryshe se Tirana është në ekuilibër mes këtyre reparteve dhe kjo është arsyeja që është zhytur në vendet e fundit në tabelën e renditjes dhe me pak shanse t’i ikë fundit. Trajneri Ardian Mema e kishte kapur “filmin” që në fillim, dhe jo rastësisht ai kërkonte mbrojtës cilësor në merkato e jo sulmues. Për krahasim mund të shërbejë Partizani.
Skuadra e trajnerit Skënder Gega nuk ka ndonjë sulmues të spikatur përpara por skemat taktike efikase sjellin gola edhe nga anëtarët e tjerë të grupit dhe ekipi funksionon duke fituar dhe me rezultate minimale 1-0. Por kjo vjen sepse Partizai ka mbrojtjen më të mirë në kampionat, me vetëm 9 gola të pësuar, duke lënë pas Kukësin që ka pësuar 10 gola. Ndërkohë, e ndërsa Tirana ka problem mbrojtjen, duket se Kamzën po e “merr më qafë” sulmi.
Kjo skuadër ka statistikën më të dobët në repartin sulmues, me 10 gola të shënuar në 20 javë, pra 0.5 gola për ndeshje. Teksa pëson afërsisht 1.4 gola për ndeshje, koeficienti i realizimit lë për të dëshiruar. Pra Kamza nuk ka sulm, megjithëse në vijën e parë ka të rreshtuar lojtarë cilësorë si Sebino Plaku e të tjerë. E thënë ndryshe, në tërësinë e tyre për skuadrat e kampionatit, vendimtare është mbrojtja, dëshmuar jo vetëm me Partizanin që është në vend të parë falë këtij reparti.
Të kuqtë pësojnë më pak nga të gjithë, por edhe Tirana, e cila, edhe pse ka sulm të mirë, ndodhet në vend të shtatë sepse ka mbrojtje të dobët dhe pëson gola me lehtësi. Nëse dëshiron t’i ikë zonës së ftohtë, Tirana duhet të punojë fort me mbrojtjen.