Albaniansport.net 18.01.2016 17:50
ASNN – Stadiumi i Shkodrës mund të mos jetë gati për ndeshjen e Kombëtares në mars, pasi Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) shpreson tek moti. Kështu, nuk është e sigurt që kombëtarja do të luajë në Shkodër në mars. Pavarësisht se punimet kanë përparuar, sërish do të duhet që moti të mos ketë shumë “kapriço” që punimet të përfundojnë deri në mesin e muajit mars.
Duke folur për televizionin informativ shqiptar, “ABC News”, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, Arben Dervishi, shpreson që të mos ketë mot me ngrica. Afati i përfundimit të stadiumit është shtyrë disa herë, madje ka pasur edhe mosmarrëveshje mes Federatës dhe Bashkisë së Shkodrës.
Ndërkaq, Stadiumi “Qemal Stafa” ende nuk ka nisur të prishet, ndryshe nga sa u premtua. Me vendim të Qeverisë, u bë një ndryshim, për t’i lejuar investitorët privatë që të ndryshojnë destinacion për mjediset tregtare në stadium, dhe tani tenderi do të bëhet nga e para.
Besohet se stadiumi i ri, “Arena Kombëtare”, do të jetë gati në verën e vitit 2018. Dervishi thotë se kjo është zgjidhja përfundimtare. Përveç ndërtimit të stadiumeve, Federata është duke bërë gati një tjetër strategji, këtë herë jo për ekipet, por për qytetarët.
Strategjia për masivizimin. Do të vazhdojmë me stadiumet. Duka u ka kërkuar bashkive që të bëjmë fusha stërvitore për rininë. Me përmasa olimpike. Shqipëria ka sipërfaqen sportive më të vogël për frymë popullsie në rajon, diçka që ka dëmtuar futbollin dhe sportet në përgjithësi.