AlbanianSport.com 22.10.2015 21:05
ASNN – Skënderbeu ka pësuar humbjen e tretë në Ligën e Evropës, teksa në sfidën përballë Sportingut të Lisbonës është mundur me rezultatin e thellë 1-5. Të mbetur me 10 lojtarë që në minutën e 22-të, kur Salihi del me karton të kuq nga loja, futbollistët e Skënderbeut nuk kanë mundur të përballojnë furinë e sulmeve të vendasve.
Skënderbeu është mundur kështu thellë nga Sportingu i Lisbonës në ndeshjen e tretë të vlefshme për grupin H të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit. Skuadra vendase është më e rrezikshme teksa përpiqet brenda çerekorëshit të parë me dy gjuajtje radhazi, por mbrojtësit Vangjeli dhe Osmani largojnë topin në vijën fatale.
Në minutën e 22-të, Skënderbeu mbetet me 10 lojtarë, pasi Hamdi Salihi e prek topin me dorë brenda zonës dhe gjyqtari maltez e ndëshkon me kartonin e verdhë, i dyti ky për shkodranin, që do të thotë karton i kuq. Në të 32-tën, Sabien Lilaj ekzekuton bukur një goditje dënimi, por pret me vështirësi portieri i Sportingut.
Më pas vijnë 4 minuta fatale për Skënderbeun që vendosin fatin e 45 minutave të pjesës së parë. Jashanica pengon brenda zonës një futbollist të Sportigut dhe gjyqtari jep 11-metërsh për vendasit në minutën e 37-të. Akuilani shënon nga pika e bardhë dhe 1-0. Vetëm 3 minuta më pas, Vangjeli pengon në mënyrë të panevojshme Monteron dhe sërish 11-metërsh për vendasit.
Është vetë Montero që ekzekuton saktë dhe 2-0 për Sportingun. Pjesa e dytë ka vetëm një kah, me portugezët, që sulmojnë pareshtur portën e Shehit. Në këtë mori sulmesh të vendasve, Skënderbeu përpiqet në minutën e 51-të, me anë të një kundërsulmi të shpejtë, por Progni nuk është i saktë. Minuta e 63-të dhe një dalje e gabuar e Shehit i jep mundësinë Mateusit të shënojë golin e tretë të portugezëve.
Pesë minuta më pas është Tobias që realizon me kokë golin e katërt për Sportingun. Ndërsa në 76-tën, Mateus fikson shifrat në 5-0 pas një gjuajtje fluturimthi brenda zonës. Sidoqoftë, në të 88-tën, Jashanica shënon me kokë golin e vetëm për Skënderbeun, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit. Pas kësaj humbje Skënderbeu mbetet në vendin e fundit në grup me 0 pikë.