AlbanianSport.com 11/01/2019 23:00
ASNN – Skandali: Spiuni i kapur nga policia në stërvitjen e Darbi Kauntit ishte paguar nga Bielsa i Lids Junajtid. Në nivelin e dytë të kampionatit anglez të futbollit, që njihet si “Çempionship”, Lidsi Junajtid mposhti Darbi Kauntin me rezultatin 2-0. Besohet se Lidsi kishte siguruar informacion paraprak rreth skemave taktike të skuadrës kundërshtare falë një spiuni që kishte dërguar në qendrën stërvitore të Darbi Kauntit trajneri i Lidsit, Marselo Bielsa.
Në fakt, kemi të bëjmë me një skandal, ose më saktë me shkelje të rregullave të “Fair-Play-it”, për më tepër që “spiuni” u kap nga policia angleze si pasojë e telefonatave që mbërritën në sallën operative nga dyshimet që kishin lindur si pasojë e pranisë së një personi që mbante shënime për fushën, lojtarët, numrat, etj. Në fillim frika ishte për ndonjë person që përbënte rrezikshmëri, por më pas u mësua se ai ishte një spiun i dërguar nga Bielsa që të mblidhte informacione.
Këtë e pranoi në një konferencë për shtyp edhe vetë trajneri argjentinas, i cili kërkoi falje, sidomos kolegut të tij të Darbi Kauntit, Frenk Lampard. Ish-mesfushori i Çellsit ishte treguar i ashpër në bisedën telefonike me Bielsën, duke e quajtur këtë veprim të papranueshëm dhe në kundërshtim me rregullat, por Bielsa than ë një farë mënyre se nuk i plaste fare për “rregullat”. “Është e vërtetë. Spiuni është dikush nga Lidsi”, – tha që në fillim Bielsa.
Ai ka vijuar ta pranojë hapur se spiuni ishte dërguar prej tij në qendrën stërvitore të Darbi Kauntit. “Unë jam përgjegjës për këtë, vijoi ai, – Nuk ka rëndësi a është e ligjshme apo e paligjshme, e drejtë apo e padrejtë.. mua më mjafton se nuk ka qenë e drejtë për Frenk Lampardin dhe Darbi Kauntin. Unë fola me Lampardin dhe ai më tha se nuk i kam respektuar rregullat e “fair play”-it. Unë mendoj ndryshe, por më rëndësi është se çfarë mendojnë Lampardi dhe Darbi Kaunti.”
“Natyrisht, kjo çështje krijon debat dhe është e drejtë e Darbi Kauntit ta vazhdojë këtë debat”, – përfundoi Bielsa.