Nga Ilir Mborja 12.06.2017 23:15
… vijon
Spiro Shano, i datëlindjes 1951, u shfaq në basketbollin shqiptar në vitin 1966 me ekipin e të rinjve të Dinamos, që drejtohej nga trajneri Esat Beliu, ndërsa të rriturit nga Muhamet Përmeti. Ishte koha kur në kampionatin shqiptar flitej kryesisht vetëm për dy ekipe: Partizanin dhe Tiranën. Qëlloi që në ato vite Dinamo do të riorganizohej dhe do të shfaqej si një rival me ambicie për të qenë i denjë për t’u ndeshur e shpesh për të triumfuar mbi to. Pikërisht, në kampionatin e sezonit 1967-1968, kur 16-vjeçari Spiro Shano nga të rinjtë kalon tek të rriturit i bashkohet Viktor Papavangjelit, Rami Rusit e Ilia Janit.
Drejtimi plot profesionalizëm i Dinamos do t’i kalonte Feti Borovës. Vitet 1970-të do të ishin edhe vitet kur historia e basketbollit tonë për meshkuj fillon e ballafaqohet me dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare. U lanë pas humbjet e thella, madje fitoheshin ndeshje edhe jashtë. Edhe kur ndeshjet me ekipe të mëdha nuk fitoheshin, diferenca bëhej jo më shumë se me dy-tre kosha. Renditja në vendin e tretë në eliminatoret e Kampionatit Evropian, që u zhvilluan në Gjermaninë Perëndimore më 1975-n, ishte rezultati më i lartë ndërkombëtar në historinë 70-vjeçare të basketbollit shqiptar dhe, padyshim, lojtari me numrin “11”, kishte meritën e tij të padiskutueshme në atë arritje.
Më 1973-shin, në ekipin e të rriturve të Dinamos do të shfaqej plot shkëlqim edhe Ilir Trebicka, i cili më pas, më 1976-n, do të zëvendësonte në rolin e tij, legjendën tjetër të basketbollit tonë në ekipin kombëtar, Agim Fagun e madh. Shiriti i kapitenit të kombëtares do t’i kalonte për shumë vjet Spiro Shanos. Shano tregon se, qysh në fillimet e jetës sportive, do të vazhdonte individualisht stërvitjen edhe pasi trajneri dhe shokët e tij largoheshin me përfundimin e orarit të programuar. Pas stërvitjes të gjithë iknin në shtëpi, por Spiro Shano jo. Ishte radha e 100 kërcimeve tek shkallët e betonit, Dhe jo pa ngarkesë. Të njëqindta me një shtangë mbi shpinë.
Një shtangë e krijuar duke salduar tek një hekur dy rrota vagoni të siguruara nga vetë ai në stacionin e trenit. Me një PUNË të tillë ai arriti të ishte lojtari me treguesit fizikë më të mirë të kohës. Deri në 17 herë arrinte ta prekte koshin me të dy duart dhe arrinte lartësinë 3 metër e 41 cm duke kërcyer nga vendi. Kështu shpjegohej pse Spiro Shano mbeti për vite e vite, nga 70–80, si qendra e padiskutueshme e kombëtares, sepse ishte lojtari shqiptar më rezultativ i zotërimit të topave në tabelë, si në sulm, edhe në mbrojtje. “Dino Menegini” shqiptar asnjëherë nuk largohej për në shtëpi si shokët pa realizuar edhe 100 personale.
Çdo natë, një djalë poshtë koshit që t’i ofronte topin dhe dritat e Pallatit të Sportit, rrinin ndezur vetëm për të. Ato shuheshin vetëm kur largoheshin Spiro Shano dhe tifozi i vogël që “shpërblehej” duke i mbajtur çantën atij… Prandaj ai ishte lojtari i mbi 100 ndeshjeve ndërkombëtare. Kapiteni i Dinamos dhe qendra e padiskutueshme e kombëtares Spiro Shano për shumë vite do ta merrte kudo me vete fanellën me numrin e Dino Meneginit. Edhe kur e federonte “Tirana”, “Partizani” apo “Vllaznia” në ndeshjet ndërkombëtare fanella e tij shënonte numrin “11”.
Lufta për të ruajtur dhe për të zënë vendin në pesëshen e parë të kombëtares mes brezave, veç parketit poshtë koshave, për hiç mos gjë (kinse: “pse më shtyve?”), kthehej në një përleshje të vërtetë mes tyre në dhomat e zhveshjes. Brezi i Vaso Shakës e kishte të vështirë t’i lëshonte vendin më të rinjve plot ambicie dhe Spiro Shano kishte dhënë prova se nuk ia përtonte grushtin askujt për të marrë me çdo kusht atë që i takonte. Punë dhe luftë, djersë e gjak bashkë, është historia e “Dino Meneginit” shqiptar…