AlbanianSport.com 08/03/2021 15:40
ASNN – Federata Spanjolle e Futbollit ka njoftuar se trajneri Luis Enrike do të shpallë më 15 mars 2021 listën për ndeshjet e ardhshme. Por, në njoftim Federata e Futbollit e Spanjës nuk ka pasur trajtim të barabartë për Kosovën ashtu si për përfaqësueset tjera. Kjo për arsye se Kosovës, Federata e Futbollit e Spanjës i është referuar si “territori i Kosovës”. “Spanja nis rrugtimin për në “Katari 2022” ndaj Greqisë, Gjeorgjisë dhe territorit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Spanjës.
Kosova është e pranuar me të drejta të plota në UEFA e FIFA me emrin zyrtar të saj. Por Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe tani as ndaj përfaqësueses nuk ka pasur të njëjtë qasje si ndaj përfaqësueseve tjera. Kosova luan ndaj Spanjës më 31 mars në Sevilje. Kosova fillimisht luan miqësore me Lituaninë më 24 mars 2021, e më pas hap Eliminatoret e Botërorit 2022 ndaj Suedisë, më 28 mars në Prishtinë. Ndërkohë Spanja ndeshjen e parë kualifikuese e luan ndaj Greqisë, më 25 mars 2021.
Më 28 mars është ndeshja Gjeorgji-Spanjë, ndërsa më pas spanjollët presin Kosovën. Spanja është favorite për të fituar grupin. Ajo vlerësohet prej përfaqësueseve më të mëdha në botë. Ndeshjen e fundit e ka fituar ndaj Gjermanisë, 6-0, më 17 nëntor të vitit të kaluar. Por përballja Spanjë-Kosovë nuk pritet të jetë si gjithë të tjerat pikërisht për faktin se Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës. Fillimisht ka pasur zëra që ndeshja të luhet në territor neutral.
Por autoritetet spanjolle u pajtuan me idenë që ndeshja të luhet në Spanjë, me gjithë faktin se nuk e njohin shtetin e Kosovës. Në të kaluarën sportistët kosovarë kanë pasur telashe për përfaqësim të barabartë në ngjarjet e mbajtura në territorin e Spanjës. Por ka pasur edhe raste kur sportistët kosovarë janë trajtuar të barabartë me sportistët e vendeve tjera. Në Botërorin e të rinjve në hendboll, dy vjet më parë, u luajt himni i Kosovës dhe shpalos flamuri i Kosovës.
Në futboll çështja është më problematike për shkak të publicitetit. Më parë spanjollët kishin refuzuar të ofrojnë trajtim të barabartë për një përfaqësuese të grupmoshave të reja të Kosovës dhe i gjithë turneu eliminator ishte zhvendosur në Zvicër. “Spanja do të mbyllë ndeshjen e këtij muaji më 31 mars 2021 në Stadiumin “La Kartuha” në Sevilje përballë territorit të Kosovës”, shkruan ndër të tjera në njoftimin e Federatës së Futbollit të Spanjës.
Kosova ka në grup edhe dy përfaqësuese të shteteve që nuk njohin shtetin e Kosovës, Greqinë e Gjeorgjinë. Por ndaj Greqisë e Gjeorgjisë nuk pritet të ketë telashe të prezantimit të barabartë.