AlbanianSport.com 18.02.2015 11:15
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, luan sot ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve, nga ku do të njihen edhe 4 skuadra gjysmëfinaliste. Partizani dhe Kukësi vijnë në ndeshjet e kthimit pas fitoreve që arritën në ndeshjet e para, përkatësisht ndaj Laçit dhe Vllaznisë, ndërsa në dy çiftet e tjera Apolonia-Tirana dhe Skënderbeu-Flamurtari, gjithçka është e hapur pas barazimeve në takimet e para.
Sot luhen ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, nga ku do të njihen edhe 4 skuadra gjysmëfinaliste. Në takimet e para dy javëve, Partizani ka fituar 2-0 me Laçin falë golave të realizuar nga Fazlliu dhe Bylykbashi, dhe shkon në ndeshjen e sotme si favorit për t’u kualifikuar. Fitore të rëndësishme ka marrë edhe Kukësi në Shkodër, teksa ka mundur Vllazninë 2-0 në ndeshjen e parë dhe synon që sot të kryejë formalitetin e kualifikimit.
Ndërkaq, takimi i para dy javëve në Vlorë midis Flamurtarit dhe Skënderbeut u mbyll në barazim 1-1, çka nënkupton se gjithçka është e hapur sot për ndeshjen e kthimit. Këto 3 ndeshje luhen duke nisur nga ora 14:00, ndërsa duke nisur nga ora 17:00, luhet ndeshja e kthimit e çiftit Apolonia-Tirana, takimi i parë i të cilit është mbyllur në barazim 2-2.