AlbanianSport.com 01.02.2017 11:35
ASNN – Pas Kategorisë Superiore, edhe veprimtaria e dytë e futbollin në vend, Kupa e Shqipërisë, luan sot takimet e para të turit të saj çerekfinal. Kështu, duke nisur nga ora 14:00, do të përballen Laçi-Skënderbeu dhe Vllaznia-Teuta, ndërsa në orën 17.00 luhen dy sfidat e tjera, Flamurtari-Besëlidhja dhe Tirana-Kukësi.
Kupa e Shqipërisë është një trofe që të çon në veprimtaritë evropiane. Të gjitha skuadrat çerekfinaliste duan ta bëjnë pronë të vetën, duke parë se Kampionati Kombëtar sa vjen dhe bëhet më i vështirë për t’i siguruar trofeun apo një vend në Kupat e Evropës.
Në këto sfida bie në sy prania e Besëlidhjes, skuadër e Kategorisë së Parë, nivelit të dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që do të përballet me Flamurtarin tepër ambicioz në pretendime. Por edhe 7 skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore kërkojnë fitoret për të siguruar kualifikimin për më tej.
Për të gjithë teleshikuesit, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të përcjellë drejtpërdrejt emocionet e ndeshjes Tirana-Kukësi, e cila luhet në Sadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, duke nisur nga orën 17:00.