AlbanianSport.com 13.06.2016 12:05
ASNN – Veprimtaria më e rëndësishme futbollistike e kontinentit, Kampionati Evropian, faza finale e të cilit po luhet në Francë, luan sot ndeshjet e ditës së katërt. Spanja, kampione në fuqi e Evropës, luan me Republikën Çeke, në takimin që nis në orën 15.00. Më pas, në orën 18:00, Irlanda sfidon Suedinë, ndërsa mbrëmja mbyllet me ndeshjen Belgjikë-Itali, që luhet duke nisur nga ora 21:00
Kampionati Evropian “Francë 2016”, do të vijojë sot me ndeshjen Spanjë-Republika Çeke, që nis në orën 15.00. Spanja ka fituar tre dhe ka barazuar një ndeshje në përballjet me çekët. Ndërkohë që ndeshja e sotme është e para midis këtye dy skuadrave në një turne evropian. Për Spanjën është e 10-ta herë që merr pjesë në fazë finale të një Evropiani.
Madje iberikët i kanë fituar dy edicionet e fundit, 2008 e 2012, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në historinë e këtij kampionati. Spanja do të luajë në sulm me treshen: Pedro, Morata, David Silva, ndërsa ky takim është i vlefshëm për grupin C. Në orën 18:00 do të nisë të luhet takimi i grupit D, Irlandë-Suedi. Në përballjet midis tyre, Suedia ka fituar 5, barazuar dy dhe humbur 3 ndeshje kundrejt Irlandës.
Kjo është hera e parë që këto skuadra ndeshen në fazën finale të një Evropiani. Mbrëmja e sotme e evropianit do të mbyllet me supersfidën Belgjikë-Itali, e cila nis në orën 21:00. Italia është një nga katër skuadrat së bashku me Austrinë, Anglinë dhe Rumaninë, që ende nuk e njohin humbjen që nga faza e kualifikimit për në këtë Kampionat Evropian.
Ndërsa Belgjika i ka humbur 5 nga 7 ndeshjet e fundit të luajtua për në Evropian. Italia ka fituar 2 dhe ka barazuar një ndeshje në përballjet me Belgjikën në veprimtaritë e mëdha ndërkombëtare. Belgjika ia ka besuar sulmin Lukakut, të ndihmuar nga Mertens, De Bruyne dhe Hazard. Ndërsa Italia, e drejtuar nga trajneri Antonio Konte, luan me dy sulmues, Pele dhe Eder.