AlbanianSport.com 07.11.2016 07:45
ASNN – Kategoria Superiore e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan sot dy ndeshjet e para të javës së saj të 10-të, që është njëkohësisht edhe java e parë e fazës së dytë të këtij sezoni.
Duke nisur nga ora 14:00, Tirana pret në kryeqytet Tërbunin, duke synuar të ruajnë vazhdën e mirë të nisur nën drejtimin e trajnerit të saj të ri, Ilir Dajës. Ndërkohë, Tërbuni, tashmë i udhëhequr nga trajneri Xhino Gargano, vjen pas një barazimi shpresëdhënës, 1-1 me Laçin.
Ndërsa duke nisur nga ora 17:00, Teuta pret Flamurtarin, me skuadrën vlonjate që po kalon një krizë të përgjithshme. Tri ndeshjet e tjera të javës së 10-të të Kategorisë Superiore luhen të dielën dhe, duke nisur nga ora 13:00, zhvillohen përballjet Bylis-Kukësi dhe Laçi-Partizani.
Ndërsa duke nisur nga ora 17:00, luhet edhe takimi i fundit i kësaj jave, ai midis Skënderbeut dhe Vllaznisë. Kjo ndeshje, që do të zhvillohet në Stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Aktualisht, renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Partizani, me 25 pikë, 3 më shumë sesa kampionia në fuqi, Skënderbeu, ndërsa më pas vijojnë Kukësi me 16 dhe Teuta me 14 pikë.