AlbanianSport.com 04.02.2017 10:25
ASNN – Pasi ka sjellë për sportdashësit dy takimet e para të javës së 14-të të Kategoria e Parë, Rrjeti i Radio-Televizionit do të vazhdojë sot të sjellë të tjera emocione futbollistike. Dhe sot radha është e nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, i cili i luan sot 3 ndeshjet e para të javës së 20-të.
Takimi i përzgjedhur nga transmetuesi publik është ai i Laçit, ku skuadra vendase do të ndeshet me Tiranën, në sfidën që nis në ora 14:00. Kurbinasit mbajnë vendin e parafundit në renditje, me 17 pikë të marra në 19 ndeshje, ndërsa kryeqytetasit renditen të 4-tët, me 10 pikë më tepër.
Po duke nisur nga ora 14:00, Kukësi kryesues pret Teutën. Verilindorët mbajnë vendin e parë në renditje, me 39 pikë, ndërsa Teuta është e 7-ta, me 19 pikë. Ndërkaq, në mbrëmje, duke nisur nga ora 17:00, Partizani pret në kryeqytet Vllazninë, në takimin që do të luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi”.
Dy takimet e tjera të javës së 20-të të Kategorisë Superiore luhen të hënën dhe, duke nisur nga ora 14:00, Korabi përballet në Stadiumin “Elbasan Arena” me Skënderbeun, ndërsa, duke nisur nga ora 17:00, Flamurtari pret në Vlorë Luftëtarin, në sfidën e fundit të javës.
Ndërkaq të hënën mbyllet edhe java e 14-të e Kategorisë së Parë, me takimin e orës 13:00, midis Kamzës dhe Mamurrasit, që gjithashtu do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.