AlbanianSport.com 20.03.2017 07:55
ASNN – Kategoria e Parë, e cila i ka luajtur të shtunën dy ndeshjet e para të javës së saj të 20-të, që është në fakt java e dytë e fazës së 3-të, ka vijuar të dielën me një tjetër takim.
Bëhet fjalë për ndeshjen midis Lushnjës dhe Shkumbinit, u luajt pasdreke në Stadiumin “Roza Haxhiu” dhe u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Vendasit fituan me shifrat 3-1 dhe kanë rimarrë kreun e renditjes së grupit B, me 26 pikë, dy më tepër sesa Bylisi, i cili mundi dje në Ballsh Tomorin e Beratit me rezultatin 2-0.
Ndërkohë, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë sot edhe takimin e fundit të javës së 20-të të Kategorisë së Parë, atë midis Besëlidhjes dhe Burrelit. Kjo ndeshje, që luhet duke nisur nga ora 14:00, është e vlefshme për grupin A.
Lezhjanët mbajnë vendin e dytë në renditje, me 23 pikë dhe do të synojnë të shkurtojnë hendekun prej 5 pikësh që i ndaj nga Kamza kryesuese. Ndërkohë, Burreli renditet i fundit në minigrupin e betejës për titull, me 13 pikë.