AlbanianSport.com 13.03.2015 13:55
ASNN – Aldo Bella, qendërmbrojtësi i hekurt i Sopotit, do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj skuadre. Pas disa ditëve jo të qeta mes tij dhe administratorit të Sopotit, Bahiti, gjërat janë normalizuar. Sepse ka qenë kërkesa e fortë e tifozëve librazhdas për ta pasur përsëri Bellën në skuadër, ndërsa duket se drejtuesit e librazhdasve janë dorëzuar përpara presionit të tifozëve.
Ndaj dhe për faqen në “Facebook” të FC Sopotit, administratori Bahiti do të deklaronte: “Për mua tifozët janë të parë, sepse ato e duan më tepër se kushdo skuadrën. Të gjithë ikin një ditë, kurse tifozët jo. Ndaj nisur dhe nga kërkesat e shumta të tifozëve, së bashku me drejtuesit e tjerë të skuadrës vendosëm që Bellon ta kemi përsëri në përbërje të ekipit.”
“Marrëdhëniet tifozë-lojtarë-drejtues do të jenë të vazhdueshme, pasi kështu ruhet harmonia brenda grupit dhe nuk do të ketë kurrë përçarje”, – ka shtuar kreu i klubit librazhdas. Ndërkohë Sopoti ende nuk ka vendosur se ku do ta luajë ndeshjen e radhës, atë me Dinamon, ndonëse deri më tani ekzistojnë tre opsione Pogradec, Peqin ose Kavajë.