AlbanianSport.com 18.10.2014 13:05
ASNN – Sopoti do të zbresë sot në Fushën Sportive “Nexhip Trungu” të Cërrikut, atje ku do të kërkojë të fitojë ndaj Dinamos për të vazhduar serinë e fitoreve në këtë kampionat. Pak ditë më parë, ekipi i drejtuar nga Gentian Stojku ka filluar stërvitjen në një mjedis më komod, në ish-Kompleksin Dinamo, i cili ndodhet në Tiranë. Kjo zgjedhje ka qenë disi e detyruar, pasi fusha e Librazhdit tani në dimër është jashtë çdo funksioni. Stërvitja e ekipit në ambiente të specializuara ka shanse të rrisë edhe kualitetin e ekipit.
Ecuria e skuadrës librazhdase ka qënë mjaft pozitive, me dy fitore radhazi. Ndaj dhe kryeson me pikë të plota në renditje. Dinamo ka grumbulluar vetëm katër pikë me një barazim dhe një fitore. Fakti që Sopoti po i luan ndeshjet në Cërrik nuk i ka rënduar psikologjikisht lojtarët. Përkundrazi ai stadium ka qenë fatsjellës për librazhdasit dhe ata shpresojnë se edhe kësaj radhe do të kenë të njëjtin fat dhe do të dalin me tre pikë përballë Dinamos.
Formacioni i Stojkut është bërë akoma më solid, pasi kanë pasur dy javë në dispozicion për t’u përgatitur për këtë ndeshje. I cituar nga gazetat sportive të ditës, Stojku ka deklaruar: “Do të zbresim në fushë dhe do të kërkojmë vetëm fitoren. Është një ndeshje shumë delikate, pasi kundërshtari është shumë i fortë dhe me një eksperiencë e histori të madhe. Por ne jemi të përgatitur për t’i përballuar sa më mirë e pse jo të fitojmë. Na ka dhënë shumë besim fitorja që korrëm javën e kaluar.”
“Ne kemi objektiva të qarta për t’u ngjitur dhe janë fitoret ato që do të na çojnë në Superiore”, – ka shtuar ai. Ndërkohë, nga ana tjetër, tifozët e Sopotit janë organizuar për të udhëtuar në mbështetje të ekipit të tyre të pajisur me shallë e flamuj. Atmosfera në stadium do të jetë shumë e zjarrtë. Duke marrë shkas edhe nga ngjarjet e fundit që ndodhën në Serbi, “Ultras Sopot” kanë përgatitur edhe një paraqitje, ku do të mbështesin kombëtaren shqiptare.
Çdo tifoz, që do të udhëtojë në Cërrik, duhet të jetë i pajisur edhe me një shall kuqezi dhe kjo do ta ndezi më shumë atmosferën, pasi në mbështetje të kombëtares mund të thërrasin njëherazi të gjithë tifozët, që do të ndodhen në stadium.