AlbanianSport.com 04.12.2016 07:55
ASNN – Në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, Sopoti dhe Pogradeci e kanë mbyllur në barazim 2-2 takimin midis tyre, e vlefshme për Kategorinë e Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit. Kanë qenë katër 11-metërsha të dhënë në këtë ndeshje nga gjyqtari kryesor Bastari, nga dy për secilën skuadër. Kjo ndeshje u transmetua drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Kështu, Sopoti-Pogradeci është mbyllur në barazim 2-2, ndeshje kjo e vlefshme për grupin B të Kategorisë së Parë. Ky takim u luajt në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës. Ndeshja fillon me një 11-metërsh në favor të vendasve në minutën e 21-të. Aldo Mitraj pengohet brenda zonës dhe gjyqtari kryesor Bastari jep 11-metërsh për Sopotin. Nga pika e bardhë gjuan Çota, por pret portieri Mali.
Kapiteni i Sopotit shpërdoron kështu një rast shumë të mirë për të kaluar skuadrën e tij në epërsi. Minuta e 35-të dhe sulmuesi Pengu i Pogradecit, në një duel me portierin e Sopotit, dëmtohet rëndë dhe detyrohet të largohet nga fusha e lojës. Me anë të autoambulancës drejtohet për në spitalin rajonal për të marrë ndihmë më të specializuar. Pjesa e parë do të mbyllej me një rast për Sopotin.
Në minutën e 44-t, një sulm i gjatë i vendasve. Krosim në zonë, nuk largojnë si duhet mbrojtësit e Pogradecit dhe topi përfundon te Mumajesi, që gjuan, por portieri Mali nuk lejon topin të kalojë në rrjetë. Në të 53-ën, Pogradeci mbetet me 10 lojtarë pasi gjyqtari Bastari largon me karton të kuq Topllarin. Pjesa e dytë nis me një tjetër 11-metërsh në favor të Sopotit, pasi në minutën e 50-të vjen një ndërhyrje e gabuar e portierit Mali ndaj Bakiut.
Gjuan nga pika e bardhë Mitraj dhe gol. 1-0 për Sopotin. Në minutën e 56-të, Mitraj realizon golin e dytë për Sopotin. 2-0 për vendasit. Por vjen një tjetër 11-metërsh në këtë sfidë. Prekje e topit me dorë nga Mumajesi në minutën e 62-të dhe gjyqtari Bastari tregon me dorë pikën e bardhë. Për Pogradecin nga pika e bardhë gjuan dhe realizon Jahja dhe 2-1.
Minuta e 71-të dhe Bakiu shkakton faull ndaj Peres dhe sërish 11-metërsh. Gjuan Jahja nga pika e bardhë dhe gol. Barazohet 2-2. Kjo sfidë do të mbyllej me dy raste mjaft të mira për Sopotin për të kaluar në epërsi. Në të 83-ën, Hoxha gjuan bukur fluturimthi brenda zonës, por edhe Mali grushton mjaft bukur. Sërish rrezikojnë vendasit teksa topi prek shtyllën. Ndeshja mbyllet në barazim 2-2, e nga një pikë për secilën skuadër.