AlbanianSport.com 05.01.2015 18:45
ASNN – Merkatoja e janarit duket se do të jetë e nxehtë për ekipin librazhdas të Sopotit, pasi ka ditë që flitet për largime dhe afrime të futbollistëve, të cilët do të përforcojnë skuadrën e drejtuar nga Gentian Stojku. Në fokus është largimi i portierit Leka, i cili ka mbrojtur për disa vite portën e Sopotit, dhe zëvendësuesi i tij flitet se do të jetë vlonjati me eksperiencë të gjatë, Shpëtim Moçka.
Moçka është një portier me një karrierë mjaft të mirë dhe pritet t’u bashkohet librazhdasve sa më shpejt për t’i ndihmuar ato në realizimin e ëndrrës për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Portieri vlonjat e ka nisur karrierën tek të rinjtë e qytetit të tij, atje ku ka qëndruar rreth 7 vite. Më pas ka kaluar në ekipin e të rriturve të Flamurtarit, ku ka qëndruar në mbrojtje të portës vlonjate për pesë vite.
Viti 2012 do ta gjente në mbrojtjen e portës së Apolonisë së Fierit, atje ku qëndroi për një pjesë të gjatë të sezonit dhe më pas kaloi në Krujë tek Kastrioti, ku dhe mbylli sezonin 2012-2013. Sezonin e radhës, atë 2013-2014, Moçka do ta nisë dhe do ta përfundojë tek ekipi i tij i vendlindjes, Flamurtari, ndërsa do të luajë për skuadrën kuqezi përgjatë gjithë sezonit.
Këtë verë ai u transferua tek Mamurrasi i Kategorisë së Parë, ndërsa është aktualisht dhe pjesë e skuadrës së Stavri Nicës. Moçka ka qenë edhe pjesë e kombëtares përkatësisht në vitin 2007-2010, ndërsa ka luajtur për të gjitha kombëtaret e moshave deri tek Nën-21-vjeçarët. Madje në vitin 2011-2012, ai ka qenë pjesë e Kombëtares së të rriturve.
Sopoti shpreson ta afrojë në kampin e tij këtë portier, pasi në disa sfida është ndëshkuar nga gabimet qesharake të portierëve. Një përforcim i tillë do ta bënte Sopotin edhe më të fortë, por edhe më shpresëdhënës për të mbajtur kryesimin, i cili do t’i siguronte një biletë për në Kategori Superiore.