AlbanianSport.com 10.10.2014 08:35
ASNN – Një punë mjaft të mirë ka bërë trajneri Gentian Stojku me Sopotin. E kjo që nga momenti që ka marre drejtimin e ekipit e deri në përfundim të dy javëve të para të kampionatit. Tashmë librazhdasit janë në krye të tabelës me pikë të plota, me dy gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Ky është një tregues mjaft pozitiv për mbrojtjen dhe “gardianin” e portës Leka, të cilët nuk kanë lejuar deri tani të preket rrjeta e portës së Sopotit.
Ajo që ishte mjaft e rëndësishme në këtë ecuri pozitive të Sopotit është marrja e fitores në vizitën gjirokastrite. Dhe kjo është arritur falë golit shumë të bukur të shënuar nga Polisi. Në javën e tretë të kampionatit, e cila do të luhet të shtunën e ardhshme, Sopoti do të ketë përballë ekipin më me eksperiencë dhe më të fortë të grupit Dinamon. Stojku po e stërvit ekipin intensivisht për të bërë një paraqitje sa më të mirë e për të mos humbur pikë në këtë sfidë të radhës.
Atmosfera në klub është shumë pozitive, kjo dhe falë fitoreve që kanë arritur të marrin në dy ndeshjet e kaluara. Ndeshja sërish do të luhet në Fushën Sportive “Nexhip Trungu” të Cërrikut, e cila është avantazh edhe Dinamon, e cila kështu nuk do ta ketë presionin e fushës kundërshtare. Sepse kur ndeshja luhet në stadium asnjanës, presioni psikologjik i ekipit mik është më i vogël. Lojtarët dhe drejtuesit janë të vetëdijshëm se kundërshtari, që do të kenë përballë, është shumë i fortë dhe ka një grup lojtarësh mjaft të mirë.