AlbanianSport.com 03.10.2014 08:45
ASNN – Humbja me rezultatin e thellë 3-0 ndaj Tiranës në Kupën e Shqipërisë duket se nuk ka rënduar shumë psikologjikisht tek futbollistët e Sopotit. Ata po vazhdojnë stërvitjen për t’u paraqitur sa më denjësisht në ndeshjen e radhës në kampionat, që është vizita gjirokastrite ndaj Luftëtarit vendës. Në fushën e lojës, dy ditë më parë, trajneri Stojku ka hedhur në fushë të gjithë lojtarët që kishin qëndruar në stol dhe pretendonin se meritonin formacionin. Ndeshja e Kupës duket se ka qenë më shumë një ndeshje testi për lojtarët se sa një sfidë e vërtetë, atje ku librazhdasit kërkonin fitoren.
Por lojtarët janë shprehur se në ndeshjen e parë që ata zbritën në fushën e lojës kanë pasur përballë skuadrën më të mirë të Kategorisë Superiore, siç është Tirana. “Edhe pse ata luajtën me rezervat, nuk mund të jepnim maksimumin, kur kemi pasur përballë një skuadër të tillë. Gjithsesi shpresojmë që trajneri të ketë shikuar lëvizjet dhe aftësitë që ne kemi me imtësi dhe jo të marrë parasysh vetëm rezultatin”, – kanë thënë njëzëri një pjesë e mirë e lojtarëve rezervë të Sopotit. Por Stojku e ka përdorur këtë ndeshje për të shuar zërat atyre që thonë se meritojnë formacionin.
Ndaj dhe u la hapësirë 90 minuta këtyre futbollistëve për të treguar se sa vlejnë në të vërtetë. Ndeshja dje është shoqëruar edhe nga lojtarët e formacionit bazë të Sopotit, por ata nuk kanë qëndruar në bankinë, por në stadium. Që do të thotë se thjeshtë kanë shijuar ndeshjen.