AlbanianSport.com 06.10.2014 20:05
ASNN – Sopoti nuk zhgënjen edhe në ndeshjen e dytë të kampionatit, teksa librazhdasit kanë arritur një fitore të rëndësishme në fushën e vështirë të Gjirokastrës, duke fituar 1-0. Golin e vetëm të ndeshjes e shënon talenti 20-vjeçar Emiljano Polisi, i cili u përfol shumë se do të largohej nga ekipi. Por trajneri Stojku, në momentet e fundit, e heq nga lista e futbollistëve në lëvizje dhe e mban në ekip. E duket se ka bërë lëvizjen e duhur. Ndeshja ishte në nivele të barabarta dhe nuk pati ndonjë diferencë sa u përket rasteve.
Në pjesën e parë ishte Iljazi, ai që nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara nga ekipi duke i kthyer në gola. Në startin e pjesës së dytë, Stojku vendos të hedhë në fushë Polisin, i cilin shumë shpejt gjen rrugën e rrjetës. Kjo fitore ka sjellë shumë gëzim edhe tek tifozëria e Sopotit, e cila kishte udhëtuar në Gjirokastër për të mbështetur ekipin e tyre. Polisi shprehet për Gazeta e Sportit se goli që ka shënuar ka sjellë një gëzim të dyfishtë tek ai.
“E para ishte sepse po i dhuroja tre pikë shumë të vlefshme skuadrës dhe e dyte atë ditë mbusha 20 vjeç, – ka zbuluar ai. – Shokët e skuadrës më mbështesin shumë, ata kishin besim të plotë se unë do të arrija të shënoja në këtë ndeshje dhe më vjen vërtetë shumë mirë që nuk i zhgënjeva. Trajneri më ka mbështetur dhe më ka dhënë besimin e duhur dhe dua që të jap maksimumin që të ndihmoj ekipin e të bind trajnerin. Shpresoj që në çdo ndeshje të jap më të mirën dhe të ndihmoj ekipin”, – ka përfunduar Polisi.