Gjergj Vyshka 16.01.2015 16:10
Halim Begaj dhe Ilirjan Çaushaj do të mund të jenë përforcimet e radhës për Sopotin në Kategorinë e Parë në grupin e Jugut. Të dy lojtarët dje kanë kryer stërvitjen e parë me librazhdasit e drejtuar nga Gentian Stojku, ndërsa për rreth dy orë, në fushën me bar artificial të ish-kompleksit blu, Sopoti ka marrë të gjithë ngarkesën e duhur. Begaj vjen nga Flamurtari i Vlorës, ndërsa më parë ka luajtur dhe me Pogradecin dhe Vllazninë.
Në karrierën e tij është fitues i titullit kampion të Kategorisë së Parë me Flamurtarin në sezonin 2005-2006, si dhe ka fituar dy herë Kupën e Shqipërisë me vlonjatët në sezonet 2008-2009 dhe 2013-2014. Kurse Ilirjan Çaushaj vjen nga Besa e Kavajës, që shënon largimin cilësor të radhës për verdhezinjtë pas Kulit tek Teuta dhe Manuka tek Besëlidhja.
Në karrierën e tij Çaushaj ka luajtur me Dinamon, Teutën, Flamurtarin, Shkumbinin, Tomorin, Skënderbeun, Tiranën, si dhe me grekët e Kerkirës. Nëse të dy lojtarët kalojnë provën e trajnerit Stojku dhe marrin letrat nga klubet e tyre përkatëse, Flamurtari e Besa, atëherë do të jenë përforcime cilësore për Sopotin në kushtet kur edhe brazilianët nuk kanë ditur.
Deri më tani nga tregu i futbollistëve në dimër Sopoti ka përfituar Bërdufin nga Mamurrasi, Kllogjerin nga Pogradeci dhe Peqinin nga Erzeni, si dhe janë larguar Leka, Bello, Kelmendi e Muçmata.