AlbanianSport.com 21.09.2015 14:35
ASNN – Skënderbeu do të presë sonte në fushën e saj Tiranën për ndeshjen më të rëndësishme të javës së 4-t të Kategorisë Superiore. Sfida e cila do të nisë në orën 20:00 është një test force për dy skuadrat në garën për titullin “kampion” në këtë sezon të futbollit elitar në Shqipëri.
Kampionët në fuqi vijnë në këtë sfidë pas humbjes kundër Beshiktashit në debutimin e tyre në grupet e Ligës së Evropës. Sidoqoftë, impenjimi në këtë veprimtari ka treguar se skuadra e trajnerit Mirel Josës nuk do të heqë dorë nga titulli dhe në 3 ndeshjet e para të sezonit të ri të Superiore ka marrë pikë të plota.
I ndryshëm është diskutimi për Tiranën. Bardheblutë e kryeqytetit nuk e kanë nisur në mënyrë më të mirë sezonin dhe për këtë arsye kërkojnë të bëjnë kthesën e madhe ndaj një rivali të drejtpërdrejtë si Skënderbeu. Java e katërt e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit ka luatur të dielën dy takime të tjera së saj.
Laçi ka mundur Bylisin 3-1 në takimin që ka nisur të luhet në ora 16:00, ndërsa sfida tjetër e kësaj dite ishte ajo midis Flamurtarit dhe Vllaznisë, që u fitua nga skuadra vendase me rezultatin 2-0. Kjo ndeshje u luajt në Stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, që tashmë është gati pas rinovimit të tapetit të gjelbërt.
Dy ndeshjet e para të javës së 4-t të Kategorisë Superiore janë luajtur të shtunën dhe Partizani mori përkohësisht kreun e renditjes, në pritje të sfidës Skënderbeu-Tirana. Ekipi i trajnerit Sulejman Starova mundi 2-0 Kukësin në takimin e zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Më herët Teuta u rikthye te fitorja në takimin me Tërbunin, që u mbyll me rezultatin 3-1 në favor të “Djemve të detit”. Skuadra durrsake përfitoi nga gabimet e kundërshtarit për të shënuar fitoren e tretë në 4 javë kampionat. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Për sa i përket super-sfidës tjetër të kësaj jave në Kategorinë Superiore, duelit Skënderbeu-Tirana, ai do të luhet ditën e hënë, për shkak të impenjimit të skuadrës korçare në mesjavë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës.
Kategoria Superiore
Java e katërt:
Të shtunën:
TEUTA – TËRBUNI 3-1
Shënues: Lamçja 11’, A. Magani 33’, Gripshi 91’ / Dhrami 19’
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
PARTIZANI – KUKËSI 2-0
Shënues: Plaku 34’, Sukaj 58’
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
Të dielën:
LAÇI – BYLIS 3-1
Shënues: Xhejms 9’, Meto 80’, 83’ / Mbella 11’
Stadiumi “Kastrioti”, Krujë
FLAMURTARI – VLLAZNIA 2-0
Shënues: Greca 18’, Tskhadadze 42’
Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë
Të hënën:
SKËNDERBEU – TIRANA (20:00)
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H Gsh-Gp Pikë
- Partizani 4 3 1 0 7-3 10
- Skënderbeu 3 3 0 0 4-0 9
- Teuta 4 3 0 1 6-4 9
- Kukësi 4 2 0 2 5-3 6
- Laçi 4 1 3 0 5-3 6
- Tirana 3 1 2 0 3-2 5
- Flamurtari 4 1 1 2 3-3 4
- Tërbuni Pukë 4 1 0 3 4-7 3
- Bylis Ballsh 4 0 1 3 1-7 1
- Vllaznia 4 0 0 4 1-7 0