AlbanianSport.com 09/10/2021 20:10
ASNN – Kuqezinjtë, në Budapest për sfidën vendimtare, takimi, drejtpërdrejt në RTSH. Shqipëria ndeshet sonte me Hungarinë, në duelin e 7-të në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” dhe kuqezinjtë kanë përmbyllur të premten në mbrëmje edhe përgatitjet për këtë takim. Ndeshja, që nis në ora 20:45, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ndërkohë që kuqezinjtë bëhen gati për sfidën me Hungarinë, zbardhen edhe emrat që do të zbresin në fushë nga minuta e parë. Çekiçi dhe Uzuni do ta nisin që nga minuta e parë në sfidën me Hungarinë, ndërsa Manaj dhe Bajrami janë ulur në stol. Trajneri Edoardo Reja ka “fshirë” të gjitha dyshimet për 11-shin që do të zbresë pas pak në “Pushkash Arena”.
Berisha do të jetë në portë, Hysaj nga e djathta dhe Trashi nga e majta, ndërsa treshja e qendrës së mbrojtjes do të formohet nga Gjimshtiti, Ismajli dhe Kumbulla. Gjasula e Bare do të formojnë digën në mesfushë, ndërsa Uzuni e Çekiçi do të jenë një ndihmë për Cikalleshin. Shqipëria mban vendin e dytë në renditjen e Grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, me 12 pikë, 4 më pak sesa Anglia kryesuese.