AlbanianSport.com 12.04.2016 12:35
ASNN – Në fakt, është një ndeshje që me të vërtetë vlen sa i gjithë sezoni. Reali i Madridit do të zbresë sot në orën 20:45 në Stadiumin “Santiago Bernabeu”, për çerekfinalen e kthimit në Ligën e Kampioneve kundër Volfsburgut. Humbja 2-0 në ndeshjen e parë ia ka bërë shumë të vështirë kualifikimin madrilenëve, por trajneri beson te përmbysja e madhe.
“Në futboll asgjë nuk është e pamundur, – deklaroi trajneri francez i Realit të Madridit, Zinedin Zidan. – Gjithçka mund të ndodhë dhe ne do të luajmë për të siguruar kualfikimin. Sidoqoftë, për këtë duhet që tifozët të kenë durim deri në fund.” Mbrëmja e sotme në Ligën e Kampioneve sjell një tjetër përballe të madhe. Milionerët e futbollit evropian, Mançester Siti dhe Paris SG, do të kërkojnë një vend në gjysmëfinale.
Barazimi 2-2 në ndeshjen e parë, favorizon anglezët, por trajneri Manuel Pelegrini nuk do t’i lërë asgjë rastësisë. “Në këto nivele nuk ka skuadra të favorizuara, – deklaroi ai para ndeshjes. – Barazimi në ndeshjen e parë ishte një rezultat i mirë, por asgjë nuk është mbyllur deri sa të fitojmë këtë sfidë”. Për të siguruar gjysmëfinalet, parizenët do të presin sërish nga Zlatan Ibrahimoviçi, që pritet të luajë krah Kavanit nga minuta e parë.