AlbanianSport.com 12.05.2015 12:20
ASNN – Liga e Kampioneve do të njohë sonte finalisten e parë të sezonit, pasi të luhet ndeshja e kthimit e çiftit të parë gjysmëfinal, atij midis Bajernit të Mynihut dhe Barcelonës. Ndeshja e parë e këtij çifti, e luajtur javën e shkuar në “Kamp Nou”, u fitua nga skuadra vendase me rezultatin 3-0.
Ndonëse përgjatë shumicës së kohës ky takim ishte i barazpeshuar dhe spikati për lojën e disiplinuar të dy skuadrave dhe trajnerëve që e njohin mjaft mirë njëri-tjetrin, ai që bëri diferencën ishte talenti i jashtëzakonshëm i Lionel Mesit. Argjentinasi shënoi dy herë brenda 3 minutave në çerekorën e fundit.
Ndërsa kapitullimit të Bajernit i vuri vulën braziliani Nejmar me golin e tretë të shënuar në fund. Për këtë arsye, bavarezët vijnë në ndeshjen e sotme me një mision të vështirë të përmbysjes së humbjes së ndeshjes së parë. Ndërsa ndeshja e kthimit e çiftit tjetër, atij midis Realit të Madridit dhe Juventusit, luhet të mërkurën.