AlbanianSport.com 01.08.2015 13:25
ASNN – Trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli e njeh mirë mendësinë, jo vetëm në futbollin maqedonas, por në përgjithësi në hapësirën e shtetit fqinj, ku pati punuar si trajner. Ai është i bindur se ndeshja ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë do të sjellë rrezikshmëri të lartë.
“Të gjitha ndeshjet që i kemi zhvilluar me fqinjët kanë sjellë “fërkime”, – tha ai për “Zërin”. – Fatkeqësisht, jemi të rrethuar nga shtetet që vazhdimisht kanë treguar elemente të urrejtjes, si grekët, malazezët, serbët dhe pres që kjo të ndodhë edhe me maqedonasit.”
“Mendoj se ndeshja me Maqedoninë është e rrezikshmërisë shumë më të lartë se që e mendon edhe vetë UEFA, – ka vijuar Sokoli. – Madje, kjo përballje mund të jetë me rrezikshmëri shumë më të madhe se ajo ndaj Serbisë. Edhe në ndeshjet miqësore me maqedonasit, ata kanë bërë thirrje raciste ndaj shqiptarëve.”
Ndeshjen e saj të parë ndaj Maqedonisë, Shqipëria do ta zhvillojë në shtëpi më 5 shtator të vitit të ardhshëm, kurse takimin e kthimit në Shkup e zhvillon më 5 shtator të vitit 2017.