AlbanianSport.com 27/01/2019 11:35
ASNN – Shqipëria është vend i çudirave të mëdha dhe në këtë mjedis ku në rresht të parë janë vënë të pamerituarit, nuk bën përjashtim futbolli, plaga e të cilit është zmadhuar aq shumë këto vitet e fundit, me dëshmi rrënqethëse në impiantet e boshatisura, me turma që ulërasin “e shitët…, e bletë!”, me kriza të gjata e të dhimbshme financiare, me çorganizim total, rënie e cilësisë, paradokse klasifikimesh e kualifikimesh, ku nuk ka mbetur njeri pa u bërë trajner e specialist, nga punëtori i fushës e deri tek “gjithologët” në studiot televizive.
E ndërsa në terren situata është e mjerë, e dhimbshme dhe ndotëse, në zyrat e qeverisë së futbollit flitet për “arritje epokale”, “kampionat shumë herë më i mirë se vjet”, apo krahasime me Ballkanin, Evropën dhe botën, në një kohë kur kampionati shqiptar nuk prodhon një lojtar për standardin e ekipit të vet kombëtar. Kur Sokol Kushta fliste prej vitesh për rrezikun që do të na sillte në këtë situatë, pakkush e mori seriozisht. Koha i dha të drejtë, sistemi ka qenë i kalbur, i kapur nga njerëz të pamerituar dhe i pastudiuar nga instancat shtetërore të sportit.
Në një intervistë për gazetën “SOT”, ikona e futbollit vlonjat dhe atij kombëtar, Sokol Kushta, thotë se futbolli shqiptar nuk ekziston, ai s’ka as bazat infrastrukturore e as organizimin e klubeve për të qenë i shëndetshëm. Kushta shtron disa pyetje të cilat mbeten pa përgjigje, sepse institucionet përkatëse dhe FSHF-ja janë vetëkënaqur pa bërë llogaritë ku i shpie kjo situatë. Dhe sipas Kushtës, situata është e rëndë, klubet kanë vetëm emrin dhe ka një paqartësi rreth të ardhmes që e bën të zymtë vazhdimësinë.
Duke filluar që nesër, AlbanianSport.com do t’jua sjellë këtë intervistë në 3 pjesë.
Vijon nesër…