AlbanianSport.com 03.03.2016 16:40
ASNN – Në Çorovodë, qëndrimi i skuadrës në Kategorinë e Dytë do të shpërblehet me një investim të ri, që ka të bëjë me tapetin e fushës. E ky është premtimi që presidenti i skuadrës, Hysen Caka, ka bërë në një prononcim për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, teksa ka deklaruar: “Qëndrimi në Kategorinë e Dytë është një objektv mëse i arritshëm dhe investimi që kemi bërë në organikën e skuadrës, si dhe kalendari që ne kemi atëherë na e bëjnë të realizueshme këtë gjë.”
“Ne jemi duke planifikuar verën e ardhshme që, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, të bëjmë të mundur shtrimin e një tapeti të ri për fushën, – ka vijuar ai. – Është një gjë që do të mirëpritet, ndërsa sezonin e ardhshëm Skrapari do të kërkojë ngjitjen në Kategorinë e Parë. Dhe për të bërë të mundur këtë investim do të bisedojmë me kryeparlamentarin Ilir Meta, si dhe Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka”. Ajo që duhet pranuar është fakti se investimi i fundit në fushën e Çorovodës është disa dekada më parë.