Gjergj Vyshka 06.12.2016 15:20
Erjon Tola e ka përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat Dimërore “Torino 2006”, “Vankuver 2010” dhe “Soçi 2014”. “Në sportin e skive, – thotë Tola, – ne jemi diku te 150 vite prapa me Italinë. Në opinionin tim Shqipëria nuk duhet të ketë pretendime. Kjo që po bëjnë ne është tamam një dhuratë për Shqipërinë. Ne jemi rritur jashtë dhe gradualisht kemi injektuar këtë pasion për këtë sport që në këtë vend nuk ka ekzistuar ndonjë herë. Pjesëmarrja në një Olimpiadë është shumë e madhe.”
“Duke marrë parasysh dhe rastin e Marselit, ndërsa në Shqipëri nuk ka infrastrukturë, këtu nuk ka asgjë përveç pasionit të njerëzve për këtë sport, ka vijuar ai. – Për djeni sporti i skive është tepër i shtrenjtë, ndaj dhe kostoja financiare për familjet e çdo njërit prej nesh është e lartë. Kësisoj nuk ka arsye të pretendojmë rezultate të larta. Ne po shkojmë në një Olimpiadë, ndërkohë që nuk kemi asnjë pistë të ngjashme me një pistë olimpike. Gjykoj se vetëm pjesëmarrja në një event të tillë është një gjë e rëndësishme”.
Duke vazhduar më tej, Tola ka vlerësuar se së bashku me Mëhillin bëjnë shumë sakrifica për të përfaqësuar Shqipërinë në garat e skive. “Nëse unë jam i angazhuar në punë, Suela vijon studimet paralelisht, – ka zbuluar ai. – Ndryshe nga skiatorët e tjerë që stërviten çdo ditë përgjatë gjithë vitit. Kurse ne këtë mundësi nuk e kemi. Vë re një nënvlerësim që ka shteti shqiptar për sportet individuale. Në Shqipëri në fakt ky sport nuk ka imazh.”
“Do të dëshiroja që të mos kujtohen një herë në katër vjet për Olimpiada, apo një herë në dy vjet në Kampionate Botërore. Ndërkohë që Kupat e Botës zhvillohen çdo vit, çdo sezon apo çdo muaj”, ka përfunduar skiatori Erion Tola.