Gjergj Vyshka 26.12.2016 09:45
Suela Mëhilli, skiatorja shqiptare, ka vijuar të shkëlqejë në garat që janë zhvilluar në Turqi pikërisht në Erzurum Paladoken. Kështu, të martën e kaluar në garën e sllallomit, tashmë në kampionatin turk, ka zënë vendin e parë duke arritur në kuotën e 121.84 pikëve.
Në rrëshqitjen e parë ka fiksuar kohën 58”50, në të dytën 56”20 dhe në total ka pasur kohën 1’54”70. Vetëm një ditë më pas, tashmë në gara ndërkombëtare të Federatës Botërore të Skive, në garën e sllallomit gjigant ka zënë vendin e parë duke fiksuar kohën 2’16”07.
Që do të thotë se në rrëshqitjen e parë ka pasur kohën 1’05”19 dhe në të dytën 1’10”88. E të enjten në Kampionatin Kombëtar të Turqisë, përsëri në sllallom gjigant, ka zënë vendin e parë me kohën totale 2’15”62. Në rrëshqitjen e para ka fiksuar kohën 1’07”82, kurse në të dytën 1’07”80.
Kësisoj me pesë vende të para në pesë gara në Turqi, Suela Mëhilli ka shkëlqyer duke qenë e sigurt në kapjen e normës së kualifikimit për Lojërat Dimërore në Pjeongçeng më 2018-ën.