Gjergj Vyshka 25.01.2015 12:55
Shqipëria e skive është përfaqësuar mjaftueshëm në veprimtaritë e fundjavës së kaluar në Kolashin të Malit të Zi. Skiatorët tanë kanë marrë pjesë jo vetëm në kampionatin kombëtar të Malit të Zi, kuptohet si të ftuar, por dhe në garat e Federatës Botërore, të cilat janë zhvilluar njëkohësisht. Kështu Erjon Tola në sllallomin gjigant ka zënë vendin e 4-t dhe të 8-të, kurse në sllallomin special ka dalë i 6-ti dhe, në ditën e dytë, nuk ka arritur ta përfundojë rrëshqitjen e parë.
Për të vijuar më pas me Sokrat Tashon, që në sllallomin gjigant ka dalë i 19-ti dhe i 16-ti. Por në sllallomin speciali nuk ka përfunduar asnjë nga garat e tij. Marsel Biçoku në sllallomin gjigant është i 17-ti dhe i 20-ti, kurse në sllallomin special renditet i 14-ti në ditën e parë dhe i 10-ti në ditën e dytë. Më tej akoma Dalin Boriçi është i 18-ti dhe i 21-ti në sllallomin gjigant, por në sllallomin special del i 9-ti e më pas nuk arrin të përfundojë rrëshqitjen e dytë.
Një tjetër konkurrent për Shqipërinë ka qenë Uilliam Zeneli, i cili është i 14-ti dhe i 16-ti në sllallomin gjigant, ndërsa del i 7-ti në sllallomin special e më pas në ditën e dytë nuk e përfundon dot rrëshqitjen e parë. Për femra ka konkurruar Suela Mëhilli, e cila është e dyta dhe e 5-ta në sllallomin gjigant, si dhe e 5-ta në sllallomin special. Dhe e mbyll me mos përfundimin e rrëshqitjes së dytë në sllallomin special. E përgjithshmja ka qenë një përfaqësim deri diku mediokër i skiatorëve tanë në Kolashin të Malit të Zi.