Gjergj Vyshka 06.12.2016 12:35
Presidenti i Federatës Shqiptare të Skive, Shkëlqim Mema, ka vlerësuar ndihmën që jep Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar për skitë. “Ne kemi që nga 2006 në Torino që marrim pjesë në Lojërat Olimpike. Fillimisht me Erjon Tolën, që kështu bëhet gati për pjesëmarrjen e katërt në “Pjeongçeng 2018”, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris skiyë shqiptare. Në “Soçi 2014” na është shtuar dhe Suela Mëhilli.”
“E të dy këta sportistë janë në nivelin e normave të kualifikimit në Kampionatin Botëror”, – thekson Mema, që ka bërë të ditur se ka dhe skiatorë të prodhuar në Shqipëri siç është rasti i Marsel Biçokut. “Qëllimi ynë është që t’i kapim që tani normat e kualifikimit, ndërsa në Kampionatin Botëror do të marrim pjesë me 5 sportistë.” Mema ka vlerësuar dhe sakrificën e sportistëve.
Kjo sepse Tola duhet të lërë punën një javë për të marrë pjesë në gara si në Bosnje-Hercegovinë, Turqi, apo Liban. Kurse Mëhilli e Biçoku shkollën dhe provimet. “Skiatorët tanë janë në kufinjtë e 140 pikëve FIS dhe duhet të arrijmë që të ulin pikët e tyre për të shkuar në kufirin e 80 pikëve. Shanset janë”, – ka këmbëngulur Mema, i cili ka bërë të ditur se Shqipërisë i mungon një pistë e vërtetë skiatore.
Kurse në fundjavë, mbi 1000 njerëz shkojnë në Kolashin për të bërë ski. E megjithatë tashmë vëmendja është tek kualifikimi i sportistëve për në Lojërat Olimpike Dimërore “Pjoengçeng 2018”.