Gjergj Vyshka 07.01.2017 14:20
Shoqata e Shishtavecit është duke lobuar fort për kandidatin për president Luan Basha, ndërsa Erjon Tola është eliminuar për shkelje të statutit. Duket si Federatë sportive “e dorës së dytë” ajo e skive në vendin tonë. Por tashmë që është në prag asambleja zgjedhore, e cila do të zhvillohet të mërkurën e 11 janarit 2017 në mjediset e Universitetit të Sporteve në Tiranë, është ashpërsuar dhe me fort lufta për president. Për çudi të të gjithëve, gjë që ndodh rrallë në mjediset e federatave sportive, dje ka qenë prezent presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.
Më së shumti është ndalur gjatë pikërisht në zyrën e Federatës Shqiptare të Qitjes, Skive, Alpinizmit dhe Shahut, atje ku është takuar me sekretarët e përgjithshëm Ilirjan Çule dhe Koço Mikerezi. I pyetur nga gazeta “Sport Ekspres”, Bezhani thotë se ka qenë thjesht një takim urimi në këtë fillimviti me të gjithë Federatat Sportive dhe s’ka pasur të bëjë aspak me zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Skive. “Ishte thjesht, – thotë Bezhani, – për t’i thënë “Gëzuar!” të gjithë sekretarëve të Federatave, edhe sepse në ditët e ndërrimit të viteve nuk kam qenë në Shqipëri”.
E megjithatë, të paktën nga sa është kuptuar nga jashtë korridori të zyrave të shumësportëshit shqiptar, biseda e Bezhanit me Çulen është ndalur tek zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Skive. Për më tepër informacion gazeta “Sport Ekspres” ka kontaktuar dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Skive, Ilirjan Çule, i cili ka shpjeguar se një shoqatë anëtare e kësaj Federate është duke bërë luftë të fortë për njërin prej kandidatëve për president. “Shoqata e Shishtavecit, – thotë Çule, – është duke lobuar shumë për kandidatin për president Luan Basha.”
“Patën propozuar dhe për Erjon Tolën, i cili kërkonte të ishte kandidat për president dhe komitet drejtues, por është skualifikuar për shkelje të statutit, sepse është sportist”, – ka vijuar Çule, i cili nuk pranon të ketë pasur ndonjë ndërhyrje të veçantë të të parit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për procesin zgjedhor që do të zhvillohet të mërkurën në Federatën Shqiptare të Skive. “Përkundrazi, – tregon kryekzekutivi i skive, – erdhi për të na përshëndetur dhe diskutuar dhe për disa “detyra shtëpie” që ne si sekretar kemi dhe në marrëdhënie me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar.”
“Sigurisht që ata kërkojnë të zgjidhen sot për sot, por që të jesh president duhet të hysh një herë në garë e pastaj të zgjidhesh”, – ka shtuar Çapo. E, sidoqoftë, ajo që duket është se do të ketë një luftë të ashpër të mërkurën për presidentin e Federatës Shqiptare të Skive mes aktualit Shkëlqim Mema dhe Luan Bashës e Marina Tashos, kurse për anëtarë të kryesisë do të jenë në garë Agron Cuka, Paola Tasho, Sevair Dokle, Gezim Laçi, Azem Haxhiu, Kliti Hoti, Genti Mali, Ardian Haxhihyseni dhe Ana Burda.