Gjergj Vyshka 10.02.2015 14:40
Siç dihet, Erjon Tola dhe Suela Mëhilli do të jenë përfaqësuesit e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të Skive, i cili është duke u zhvilluar në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Të dy këto skiatorë, të cilët ishin përfaqësues të vendit tonë vitin e kaluar në Lojërat Olimpike Dimërore në Soçi, do të konkurrojnë në sllallomin special dhe atë gjigant në datat 12-15 shkurt.
Pikërisht për të provuar veten, fundjavën e kaluar Tola ka zhvilluar dy gara në Itali në disiplinën e sllallomit gjigand. Në garën e parë ai ka zënë vendin e 19-të, kurse në të dytën është renditur në vendin e 22-të.
Shpresohet që të dy skiatorët të kenë një paraqitje dinjitoze në Botërorin e Skive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.