Gjergj Vyshka 22.01.2016 19:35
Erjon Tola, skiatori shqiptar, ka bërë garën e tij më të mirë këtë sezon, teksa në Shamperi të Zvicrës në disiplinën e sllallomit ka zënë vendin e 5-të. Në rrëshqitjen e parë ai ka fiksuar kohën 46”60, kurse në të dytën 42”91 dhe me totalin 1’29”51 ka qenë në vendin e pestë vetëm 3”27 pas vendit të parë, që e ka zënë zvicerani Fabio Vëgeli.
Kësisoj pas tre garave të dështuara, tashmë ka ardhur një përmirësim për Tolën, që ka marrë para tre ditësh vendin e 17-të në Sllallomin Gjigant, si dhe vendin e pestë tanimë në Sllallom. Për momentin ai ka 79.10 pikë në sllallomin gjigant, si dhe 66.35 pikë në Sllallom.
Ndërkohë gjërat nuk kanë ecur mirë për Suela Mëhillin, që po në Shamperi nuk ka mundur të përfundojë xhiron e dytë të rrëshqitjes në disiplinën e Sllallomit. Për rrjedhojë nuk është klasifikuar. Aktualisht në katër gara, Mëhilli ka në Sllallomin gjigant 126.27 pikë në total (më parë kishte 191.51 me vendin e 80-të, 134.10 me vendin e 58-të).