Gjergj Vyshka 05.01.2017 21:15
Skualifikohet kandidatura e Erjon Tolës për president dhe anëtar të Komitetit Drejtues, sepse është në shkelje të statutit duke qenë sportist aktiv. Federata Shqiptare e Skive do të jetë e radhës që do të zhvillojë zgjedhjet e saj, të cilat, sipas informacionit që ka dhënë Sekretari i Përgjithshëm, Ilirjan Çule, i cili i është referuar dhe vendimeve të marra dje nga Komiteti Drejtues, do të zhvillohen më 11 janar 2017, në ora 11:00, në një nga sallat e Universitetit të Sporteve.
Janë 3 kandidatura për president, ndërsa bëhet fjalë për aktualin Shkëlqim Mema e më pas për Luan Bashën dhe Marina Tashon. Ndërkohë në garën për anëtarë të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Skive do të jenë Agron Cuka, Paola Tasho, Sevair Dokle, Gëzim Laçi, Azem Haxhiu, Kliti Hoti, Genti Mati, Ardian Haxhiyseni, Ana Burda. Gjthashtu, nga Komiteti Drejtues është marrë vendimi për heqjen e kandidaturës së Erjon Tolës, që kërkonte të kandidonte për president dhe anëtarë të kryesisë.
Kjo, sepse ishte në shkelje të statutit duke qenë se është sportist aktiv. Deri më tani procesi zgjedhor nëpër Federata është kryer tek ajo e Basketbollit, Atletikës, Notit, Peshëngritjes, Alpinizmit, Shahut dhe Taekuondoja (World). E skitë janë të radhës për zgjedhjet, si dhe Federata e katërt që pranon që zgjedhjet e saj t’i bëjë në Tiranë në një transparencë të pastër e mediatike.