AlbanianSport.com 07.05.2015 18:45
ASNN – Skerma shqiptare ka debutuar në arenën ndërkombëtare, në një veprimtari për femra. Sporti që po hedh hapat e para në vendin tonë është përfaqësuar nga Ediona Sera në Kampionatin Evropian të Nën-23-vjeçarëve, që u mbajt në Viçenca të Italisë. Ajo ka valëvitur flamurin shqiptar në këtë turne.
21-vjeçarja, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar 6 duele, duke fituar vetëm njërin prej tyre, atë me austriaken Freja Cenker. Sera e mbylli garën në vendin e 32-të. Po kush është Ediona Sera? E lindur në Bari të Italisë, e rritur në Nju Jork, ajo do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Pasi ka marrë pjesë në forumin ndërkombëtar, në tetor 2014, si përfaqësuese shqiptare për Federatën e Skermës (Shtizës) të Shqipërisë, Ediona ka vendosur të “braktisë” SHBA-në dhe të garojë nën fanellën kuqezi. Ediona garonte për Federatën Amerikane, ndërsa ëndërronte të merrte pjesë në Lojërat Olimpike në “Rio 2016”.
Por, Federata Amerikane i kërkoi sportistes në fjalë të merrte një vendim, pasi ajo nuk mund të përfaqësonte dy shtete. Ediona u tërhoq dhe vendosi që të përfaqësojë atdheun e saj, Shqipërinë.