AlbanianSport.com 08.11.2016 20:15
ASNN – Ndeshja përmbyllëse e javës së 10-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, ajo midis Skënderbeut dhe Vllaznisë është mbyllur me fitoren 3-1 të kampionëve në fuqi. Edhe pse shkodranët kalojnë të parët në epërsi nuk arrijnë të ruajnë avantazhin duke pësuar më pas 3 gola. Kështu, Skënderbeu ka fituar 3-1 me Vllazninë dhe ndeshja është zhvilluar e bukur dhe me ritëm sidomos nga ana e Skënderbeut, që ka qenë më këmbëngulës drejt portës shkodrane.
Megjithatë, takimi fillon me një gol të Vllaznisë, pasi, në minutën e 11-të është Souza që kalon skuadrën shkodrane në epërsi. Por Skënderbeu gjen shumë shpejt barazimin me anë të Salihit, që realizon vetëm 7 minuta më pas. Me barazimin 1-1 mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë fillon me sulme të pareshtura të kampionëve që venë në shënjestër portën e Vllaznisë. Në të 68-tën minutë, Olajinka pengohet brenda zonës dhe gjyqtari akordon 11-metërsh në favor të vendasve.
Nga pika e bardhë godet Salihi dhe 2-1 për Skënderbeun, ndërsa shkodrani firmos dygolëshin e tij në këtë takim, duke parakaluar njëkohësisht në renditjen e shënuesve të të Kategorisë Superiore patriotin e tij, shkodranin e Partizanit, Xhevahir Sukaj. Në minutën e 79-të, sulmuesi nigerian i kampionëve në fuqi, Olajinka, shënon golin e tretë, duke finalizuar me sukses një sulm të organizuar mjaft bukur nga skuadra e Skënderbeut.
3 pikë për Skënderbeun që ruan pozitat në vendin e dytë të renditjes me 25 pikë, 3 më pas se Partizani i vendit të parë. Të kuqtë e kryeqytetit mbeten në vendin e parë me 28 pikë, pas fitores 3-2 me Laçin. Kukësi ka barazuar 1-1 me Bylisin dhe në përfundim të ndeshjes, presidenti i skuadrës kuksiane, Safet Gjici, ka shkarkuar nga detyra trajnerin Troisi dhe drejtorin teknik, Hasan Lika. Në ndeshjet e luajtura të shtunën Tirana ka fituar 3-0 me Tërbunin, ndërsa Teuta ka triumfuar 3-1 ndaj Flamurtarit.