AlbanianSport.com 25.08.2015 16:05
ASNN – Sot në mbrëmje, duke nisur nga ora 20:45, luhet në Zagreb takimi i kthimit midis Dinamos vendase dhe Skënderbeut, i vlefshëm për “play-off”-in e Ligës së Kampioneve. Takimi i parë i këtij dueli, i zhvilluar të mërkurën e shkuar në Stadiumin “Elbasan Arena”, u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të kroatëve. Vlen të theksohet se sulmuesi i Kombëtares, shkodrani Hamdi Salihi jo vetëm që nuk ka udhëtuar me skuadrën, por duket se ka mbyllur aventurën me kampionët shqiptarë.
Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, do të zbresë sonte në fushën e blertë të stadiumit “Maksimir” të kryeqytetit të Kroacisë, Zagreb, për të luajtur ndeshjen e kthimit të “play-off”-it të Ligës së Kampioneve, ndaj Dinamos vendase. Në takimin e parë të këtij dueli, të zhvilluar të mërkurën e shkuar në Stadiumin “Elbasan Arena”, korçarët kaluan të parët në epërsi, me një goditje të lirë, të ekzekutuar mjeshtërisht nga kapiteni Shkëmbi, duke e mbyllur madje pjesën e parë me këtë epërsi njëgolëshe.
Por Dinamo e Zagrebit ka përmbysur gjithçka në pjesën e dytë. Një gol i shënuar në fillimin e saj dhe një i dytë, i shënuar në sekondat e fundit të minutave shtesë, kanë bërë që kroatët të marrin një fitore të vyer, që u mundëson që në ndeshje e sotme t’i pranojnë të gjitha rezultatet, madje edhe humbjen 0-1. Korçarëve u duhet një fitore me dy gola epërsi për t’u kualifikuar. Vlen të theksohet se sulmuesi i Kombëtares, shkodrani Hamdi Salihi jo vetëm që nuk ka udhëtuar me skuadrën, por duket se ka mbyllur aventurën me kampionët shqiptarë.
Sulmuesi ka marrë një ofertë të rëndësishme dhe pritet të kthehet sërish në kampionatin izraelit. Takimi Dinamo e Zagrebit-Skënderbeu luhet sonte, duke nisur nga ora 20:45.