AlbanianSport.com 19/08/2021 16:35
ASNN – Trajneri i shqetësuar, Skënderbeu nuk po arrin dot të gjejë fitoren në miqësore. Skënderbeu ka zhvilluar të enjten miqësoren e radhës si pjesë e përgatitjeve për edicionin e ri. Skuadra e drejtuar nga Migen Memelli ka luajtur përballë Erzenit të Kategorisë së Parë, në një sfidë të mbyllur në barazim 1-1, me korçarët që shënuan në fundin e pjesës së parë, ndërsa shijakasit në fund të asaj të dytë.
Trajneri Migen Memelli ka shpërthyer në fund të ndeshjes. Së pari, ka qartësuar se është i pakënaqur nga skuadra e pjesës së dytë. “Jam totalisht i zhgënjyer nga lojtarët që luajtën pjesën e dytë, – ka thënë ai. – Duket qartë që kemi pak alternativa në ekip dhe sigurisht që kjo na penalizon. Do të flas me presidentin për të riparë mundësinë e të ndërhyrjes sërish në merkato. Të paktën shoh që mesfusha duhet përforcuar, pasi është reparti me më pak mundësi për të ndërhyrë me zëvendësime.”
“Tani ka ardhur koha që në ndeshjet miqësore të shohim edhe rezultatet pasi këto do të jenë të rëndësishme në vazhdim, – ka vijuar pogradecari i stolit të korçarëve. – Nuk duhet të ngelemi vetëm me lojën e cila deri tani ka qenë e kënaqshme. Na mungojnë futbollistët, të cilët ende nuk na janë bashkuar apo që janë jashtë për shkak dëmtimi”, – ka përfunduar trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli.