Adriatik Balla 24.05.2015 11:25
Skënderbeu ia doli mbanë të fitojë titullin “kampion” këtë sezon, për të 5-tën herë radhazi dhe të 6-tën në historinë e tij si klub, ndërkohë që pret të bëjë një paraqitje më të mirë në Ligën e Kampioneve, ku do të futet direkt në turin e dytë paraeliminator. Skuadra korçare është më e mira dhe për këtë bien dakord të gjithë, duke e cilësuar të
merituar suksesin e saj.
Natyrisht, një rol të rëndësishëm në këtë sukses ka pasur trajneri Mirel Josa, për të cilin ky ishte titulli i tretë radhazi. Josa është vlerësuar shumë dhe me këtë titull ai i ka bindur të gjithë skeptikët se është trajneri i momentit në Kategorinë Superiore dhe trajneri më i kërkuar në radhët e klubeve shqiptare. Tirana dhe Flamurtari kanë shfaqur interesim të hapur për Josën.
Dhe kjo gjë nuk i ka pëlqyer Skënderbeut e veçanërisht presidentit të klubit Ardian Takaj. Ky i fundit ka “kërcënuar” Tiranën “të rrijë mirë” dhe të mos bëjë lojë të pistë me trajnerin e saj, duke u vënë fre ambicieve bardheblu për ta kthyer Josën në kryeqytet. Për të mos e zgjatur më tej problemin dhe për t’i dhënë fund aludimit të klubit kryeqytetas, Tiranë, në drejtim të trajnerit Josa, Takaj ka vendosur të zgjasë kontratën me trajnerin e tij, natyrisht duke i premtuar rrogë më të majme dhe dorë të lirë në blerjet e reja dhe formatimin e ardhshëm të skuadrës korçare.
Puna që solli në Korçë 3 tituj “kampion” dhe mbërritje deri në fazën e “play-off”-it të Ligës së Evropës nuk sjell dyshime për konfirmimin e Mirel Josës në stolin e Skënderbeut. Prandaj, Presidenti Ardian Takaj i ka ofruar Josës rinovimin e kontratës. “Është trajneri i duhur për Skënderbeun që të vazhdojmë projektin tonë”, – deklaroi ai për gazetarët.
“Të hënën do ulemi në Tiranë të mbyllim detajet e kontratës, por në parim jemi dakord, – ka vijuar Takaj. – Josa është trajneri më i suksesshëm i momentit dhe më të mirin sigurisht që të gjithë e duan. Aktualisht janë në kërkim Flamurtari dhe Tirana. Më një trajner të nivelit të Mirel Josës, ky është realisht hapi i parë do të bënte çdo drejtues i një skuadre që pretendon të fitojë titullin “kampion”.” Presidenti i ekipit kampion të Shqipërisë duket se nuk do ta lërë Mirel Josën të largohet dhe të hënën pritet që gjithçka të bëhet zyrtare.