AlbanianSport.com 06.03.2015 13:15
ASNN – Skënderbeu, të enjten, ka kryer një stërvitje të lehtë në “shtëpi” dhe më pas e gjithë skuadra është nisur drejt Rezortit “Tropikal” në Durrës, aty ku korçarët kanë “konakun” e tyre të dytë.
Në këtë “strehë” trajneri Mirel Josa do të bëjë gati skuadrën për takimin e radhës, atë në fushë të huaj me Flamurtarin, një ndeshje kjo aspak e lehtë edhe për kreun e stolit korçar.
Flamurtari, Vllaznia e Elbasani janë tri takimet e Skënderbeut në këtë fazë të tretë të këtij sezoni. Ndeshje të cilat korçarët i duan të fituara. “Sepse tani nuk ka kohë më për gabime”, thonë në juglindje të vendit.
Por trajneri kryeqytetas i Skënderbeut, Mirel Josa, e ka prerë shkurt kur tha: “Kalojmë një herë Flamurtarin dhe më pas flasim për dy ndeshjet e tjera”.