AlbanianSport.com 23.10.2014 07:00
ASNN – “Bosi” i skuadrës korçare, Ardian Takaj, të shtunën në darkë ka qenë i pranishëm në hotelin ku është akomoduar Skënderbeu. Burimet tona thanë se Takaj ka pasur vetëm biseda me lojtarët kryesorë të skuadrës, edhe ato janë kryer në kafene. Ashtu siç ka pasur një bisedë të tillë pothuajse në të njëjtat kushte edhe me trajnerin Mirel Josa.
Ndërkaq, të gjithë gati për takimin e kësaj së diele me fierakët. “Ultrasit” ua kanë kërkuar të gjithë “ujqërve” të jenë në “strofullën” e tyre të re për ndeshjen e radhës, atë të shtëpisë me Apoloninë, ekip të cilin të gjithë e duan të mundur. Duhet thënë se, duke filluar nga kjo ndeshje, “ujqërit” nuk do të jenë më në tribunën D1, atje ku i kemi parë në katër titujt “kampion”.
Por ato do të jenë në atë D. E thënë ndryshe, diku në anësore të tribunës përball asaj kryesore. Aty mendohet se për këtë takim do të jenë të gjithë “ujqërit”, të cilët mendohen të jenë të shumë në “strofullën” e tyre edhe për atë se, vetëm pak ditë më parë, të gjithë janë takuar për t’u riorganizuar sa më mirë të jetë e mundur. Sepse skuadra edhe këtë vit ka nevojë për ata.
Për të gjithë ky titull i pestë është shumë herë më i vështirë. Ndaj, edhe për këtë, vetëm një ditë më parë, kapiteni Bledi Shkëmbi i ka kërkuar të gjithë në stadium. Sepse vetëm kështu mund t’ia dalin për të fituar edhe një titull tjetër.