AlbanianSport.com 22.10.2015 15:40
ASNN – Kampionia e Shqipërisë, Skënderbeu, do të luajë sonte ndeshjen e tretë në grupin H të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës, kur të zbresë në fushën e blertë të Stadiumit “Zhoze Arvelade” të Lisbonës, për t’u ndeshur me Sportingun vendas. Kjo ndeshje, që do të luhet duke nisur nga ora 19:00, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Skënderbeu ka udhëtuar plot 2550 kilometra, drejt kryeqytetit të Portugalisë, Lisbonës, për t’u ndeshur sonte me Sportingun vendas, në takimin e vlefshëm për grupin H të Ligës së Evropës. Kampionia shqiptare e 5 sezoneve të fundit i ka humbur dy takimet e para, teksa është mundur minimalisht, 0-1, në “Elbasan Arena” në ndeshjen e parë përballë Beshiktashit.
Ajo ka vijuar të mundet edhe në Moskë, 0-2 përballë Lokomotivës vendase. Sikundër këto dy ndeshje, edhe takimi i sotëm, që do të luhet duke nisur nga ora 19:00, do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, i cili, në një transmetim maratonë përgjatë gjithë mbrëmjes, do të sjellë edhe emocionet dhe golat e të gjithë takimeve të treta në grupe të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës.
Skënderbeu shkon në takimin e sotëm pa sulmuesin nigerian, Piter Olajinka, ndërsa trajneri Mirel Josa nuk e ka fshehur se skuadra e tij është duke menduar më tepër për sfidën e së dielës me Partizanin, rivalen e saj të kreut të renditjes së Kategorisë Superiore. Megjithatë, korçarët kanë bërë një lojë të admirueshme në Ligën e Evropës, duke synuar të gjejnë edhe suksesin e tyre të parë historikë në atë që është në vetvete një pjesëmarrje historike në këtë veprimtari kontinentale.