Adriatik Balla 16.08.2015 16:15
ASNN – Skënderbeu po përgatitet me ritëm të lartë për ndeshjen që kjo skuadër do të luajë në “play-off” të Ligës së Kampioneve ndaj Dinamos së Zagrebit. Skuadra korçare e drejtuar nga trajneri Mirel Josa ndihet optimiste për fitoren në këtë sfidë të parë me kroatët, ndërkohë që lojtarët dhe stafi besojnë se Skënderbeu mund ta kalojë edhe këtë tur të Ligës së Kampioneve. Para mediave doli dje mesfushori i talentuar Sabien Lilaj, i cili nuk e fshehu entuziazmin e tij në prag të këtij takimi dhe siguroi tifozët se grupi do të bëjë maksimumin e tij për të siguruar fitoren.
Ai kërkoi mbështetje nga tifozët dhe garantoi e në “Elbasan Arena” pritet të ketë spektakël bardhekuq. Skënderbeu vijon përgatitjet për sfidën më të rëndësishme, përballjen me Dinamon e Zagrebit që do të fusë korçarët në historinë e futbollit shqiptar. Dështimi në Superkupë ndaj Laçit duket si diçka e largët për kampionët, që të mërkurën në “Elbasan Arena” do të tentojnë të shkruajnë me germa të arta historinë e futbollit shqiptar për klube. Mesfushori Sabien Lilaj hedh tutje zhgënjimin për humbjen me kurbinasit.
Ai shpreson që, në shtëpinë e Kombëtares shqiptare, ekipi “kampion” të gjejë ngrohtësinë që merr edhe formacioni i De Biazit. “Jemi të mërzitur nga Superkupa, por kjo është ndeshja e jetës, – ka thënë Lilaj. – Shpresojmë që stadiumi të jetë plot dhe tifozët të na mbështesin sa më shumë.” Mesfushori fantazist i Skënderbeut është një njohës i mirë i futbollit kroat, duke qenë se është aktivizuar në skuadrën satelit të Dinamos, Lokomotivën e Zagrebit. Një pjesë e mirë e skuadrës aktuale tek kampionët e Kroacisë kanë qenë në ekip me 26-vjeçarin korçar.
Lilaj nuk e sheh të pamundur ëndrrën për t’u kualifikuar pavarsisht se kundërshtari mbetet i një niveli të lartë. “Është e vërtetë që kam luajtur me Lokomotivën e Zagrebit dhe një pjesë e mirë e skuadrës aktuale të Dinamos kanë qenë me mua në atë skuadër, – ka pohuar ai. – Dinamo nuk është më ai ekipi i dikurshëm por gjithsesi mbetet një ekip i mirë. Ne kemi shanset tona për t’u kualifikuar. Mundësitë e Skënderbeut janë reale, pasi nëse do të luanim ndaj Bazelit do të ishim të dorëzuar. Duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi jemi inferiorë ndaj kundërshtarëve evropianë.”
Më tej, mesfushori korçar e merr me humor tentativën për të dhënë një parashikim edhe pse duket i bindur që Skënderbeu nuk do të humbasë në sfidën e parë. “Nuk kam ndonjë parandjenjë, por mund të them që sfida do të dalë 0-0 ose 1-0”, – përfundoi futbollisti i Skënderbeut, Sabien Lilaj.