AlbanianSport.com 02.10.2015 11:35
ASNN – UEFA pritet të hapë një hetim për thirrjet raciste ndaj lojtarëve të Skënderbeut nga tifozeria vendase në stadiumin e Lokomotivës së Moskës. Delegati i UEFA-s i ka përfshirë këto incidente në raportin e tij dhe do t’ia dërgojë Komisionit të Etikës dhe Disiplinës, sipas mediave ruse.
Një grup tifozësh rusë hodhën parrulla raciste gjatë takimit të fazës së grupeve të Ligës së Evropës. Ata thërritën në korr, “vritini shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”. Një veprim i tillë është i dënueshëm nga Kodi i Displinës të UEFA -s dhe Lokomotiva e Moskës mund të ndëshkohet.
Ndëshkimi konsiston në mbyllje të një ose më shumë sektorëve të stadiumit për takimin e radhës dhe në rast sjellje të tjera të ngjashme, me përjashtimin e të gjithë tifozëve për një ndeshje dhe gjobë. Klubi moskovit ka kërkuar ndjesë për këto veprime duke siguruar se do të merren masa ndaj përgjegjësve duke dënuar çdo veprim racist.
Në një njoftim për mediat Lokomotiva e Moskës zotohet të mos ndodhin më incidente të tilla në të ardhmen. Skënderbeu e pësoi humbjen e dytë në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Skuadra korçare u mund 0-2 nga Lokomotiva në Moskë edhe pse pati rastet e saj të shënimit.