AlbanianSport.com 25.02.2017 22:35
ASNN – Janë luajtur sot 3 ndeshjet e para të javës së 23-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe Skënderbeu ka rrëmbyer përkohësisht kreun e renditjes, me 47 pikë. Skuadra korçare mposhti Vllazninë me rezultatin 1-0 në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe tashmë pret rezultatin e supersfidës mes Kukësit dhe Partizanit, që do të luhet të dielën.
Liridon Latifi ishte ai që i dha 3 pikët e fitores skuadrës së drejtuar nga trajneri Ilir Daja me golin e shënuar në minutën e 68-të. Ndërkohë, Luftëtari dhe Laçi e mbyllën në paqe sfidën mes tyre. Në takimin e luajtur në Gjirokastër, Luftëtari shënoi i pari, në minutën e 14-të, kur Ramadani u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit. Kurbinasit u kundërpërgjigjën në pjesën e dytë kur barazuan shifrat në 1-1 me golin e Jonuzit dhe me këto shifra u mbyllën 90 minutat e kohës së rregullt.
Për t’u theksuar është se Laçi e mbylli sfidën me 10 futbollistë pas ndëshkimit me karton të kuq të Lushkjes. Teuta merr një fitore të rëndësishme për mbijetesën në Kategorinë Superiore. Në “Niko Dovana” durrsaket e drejtuar nga trajneri Gugash Magani mundën 1-0 Korabin, falë golit të Ribajt me 11-metërsh. Me këtë fitore Teuta e sheh tanimë veten në vendin e 7-të, me 26 pikë duke lënë pas Laçin, Flamurtarin e Korabin.