AlbanianSport.com 03.08.2015 19:55
ASNN – Sikundër është bërë e ditur në prag të evenimenteve të tilla madhore sportive, Policia e Elbasanit ka bërë të ditur se ka ndërmarrë një seri masash organizative, me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të ndeshjes Skënderbeu-Milsami, që do të luhet më 5 gusht 2015, në “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:45.
Përmes një komunikate për shtyp, Drejtoria lokale e Policisë ka bërë me dije bllokimin e disa segmenteve rrugore. Konkretisht do të bllokohet shëtitorja nga stadiumi deri te kryqëzimi “1 Maji”, aksi nga Bashkia, deri në dalje të Unazës dhe nga rrethrrotullimi i Luleve, deri tek ai i Zaranikës.
Ndërkohë, nuk do të lejohen parkimet në sheshin përpara Pallatit të Sportit dhe as para stadiumit. Gjithashtu, bëhet e ditur se, hyrja e tifozëve do të jetë 2 orë para ndeshjes, me qëllim shmangien e radhëve. Për garantimin e sigurisë, gjatë ndeshjes do të angazhohen 64 efektivë të FNSH-së.
Po kështu, do të angazhohen 30 agjentë të Qarkullimit Rrugor, 136 nga seksioni i Rendit Publik, 56 agjentë krimesh dhe 50 punonjës nga sektorë të tjerë. E ndërsa njofton se nuk do të lejohet marrja e femijëve të mitur pa u pajisur me biletë, Drejtoria e Policisë së Elbasanit u bën thirrje tifozëve, që të mos marrin me vete sende të forta, shishe dhe fishekzjarre, pasi në rast të kundërt nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.
Në kuadër të masave, nga ora 18:00 e deri në përfundim të ndeshjes, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të mbahen të mbyllura. Policia kërkon gjithashtu mirëkuptimin e qytetarëve për të minimizuar lëvizjen e tyre me automjete, çka, sipas saj, do të sillte një ndihmesë të madhe.